Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Komuna e Dragashit do të përfitojë 1 milion e 865 mijë euro nga Qeveria e Kosovës për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat.
Pacolli njoftoi se së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Grantit për këtë projekt.
Sipas saj, me fondet e ndara do të realizohen gjithsej 42 njësi banimi. Prej tyre, 20 do të jenë njësi të reja banimi, 20 shtëpi private do të renovohen, ndërsa dy të tjera do të rindërtohen.
Ministrja Pacolli tha se përmes këtij projekti Dragashi do të krijojë për herë të parë stokun e banimit social.
Sipas saj, investimi synon përmirësimin e drejtpërdrejtë të kushteve të jetesës për familjet e cenueshme, përfshirë edhe familjet nga komunitetet jo-shumicë.
