Lajme

Rama: Qeveria vazhdon të rrezikojë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur shqetësimin për rrezikun që mund t’i kanoset organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se po vazhdon të rrezikojë realizimin e këtij projekti madhor sportiv.

Përmes një reagimi publik, Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës që t’u përmbahen plotësisht marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara deri më tani, në mënyrë që të mos vihet në pikëpyetje mbajtja e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se në letrën e datës 15 tetor, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka paralajmëruar se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon organizimin e ngjarjes.

“ICMG-ja ka paralajmëruar qartë se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kreu i kryeqytetit ka theksuar se edhe në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ ka përsëritur qëndrimin e tij se përgatitjet dhe organizimi i Lojërave duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e këtij institucioni, si dhe duke zbatuar marrëveshjet dhe vendimet e miratuara.

Rama ka pohuar se Komuna e Prishtinës i ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka kërkuar që edhe Qeveria të marrë përgjegjësitë që i takojnë.

“Po e ngre publikisht alarmin: rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është serioz”, ka deklaruar Rama.

Në fund, ai i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Kurti, duke kërkuar zbatimin e zotimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara.

“Mos ia humbni qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike”, ka përfunduar Rama./teve1.info/

Të Ngjashme