Lajme

Drejtori në Bashkinë e Sarandës shoqërohet me urdhër të SPAK dhe niset drejt Tiranë

Drejtori i Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës është shoqëruar në Polici dhe pritet që në orët në vazhdim të niset drejt kryeqytetit. Bëhet fjalë për zyrtarin e lartë Ariel Balani, por deri tani nuk ka njoftim zyrtar.

Operacioni me urdhër të Prokurorisë së Posaçme është zhvilluar në Ksamil dhe dyshimet janë se shoqërimi i Balanit ka lidhje me pronat në jug.

Paraditen e nesërme pritet që Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë të sqarojë nëse drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës është shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga SPAK apo i akuzuar për ndonjë vepër penale.

Prokuroria e Posaçme prej kohësh po heton tjetërsimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës në jug të vendit, kryesisht në zonat bregdetare, përmes falsifikimeve të firmave dhe akteve të marrjes së tokës në pronësi.