
Ditën e sotme do të përurohet baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë, ku gjatë ceremonisë do të jenë të pranishëm krerë të lartë të shtetit dhe si dhe përfaqësues të aleancës së NATO-s. Kryeministri Edi Rama ka nisur mëngjesin e sotëm me pamjet nga momentet kur montoheshin dronët Bayraktar, të cilët janë instaluar në bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Në llogarinë e tij në “Faceook”, kreu i qeverisë ka publikuar videon, teksa më tej bën me dije se tre dronët Bayraktar, ‘TB2’ të blerë në Turqi do të bëjnë fluturimin e parë sot në çeljen e bazës ajrore në Kuçovë.
“Dhe me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Dronët Bayraktar janë aeroplanë ushtarakë pa pilotë. Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.
Droni Bayraktar mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij, si dhe është e pajisur me 4 raketa. Pesha maksimale e dronit bombardues është deri në 650-700 kg.
Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo