Lajme

Durim Bami, dy zgjedhje për të dalë nga qelia: Dubai kërkon garanci pasurore, ose të firmosë…

Durim Bami, një nga emrat e botës së krimit që cilësohet si i “forti” i Niklës, vijon të qëndrojë në një burg në Dubai, në pritje të përfundimit të procedurave gjyqësore.

Arrestimi për herë të dytë i Bamit në Emiratet e Bashkuara Arabe, është motivuar nga autoritet policore të këtij vendi, si thyerje e kushtit të garancisë për t`u paraqitur vullnetarisht në rajonin policor, shkruan gazetari Elton Qyno.

Sipas burimeve, Durim Bami, ka refuzuar t’i përgjigjet tre E-Maileve të dërguara në adresë të tij nga Policia e Dubait, të cilët kërkonin paraqitjen vullnetarisht të tij në rajon.

Ndaj nisur nga ky refuzim, Bami është ndaluar në mes të rrugës teksa ndodhej duke ecur me familjen e tij.

Teksa është përballur në gjykatë me këtë situatë të krijuar, për shkak të mos përgjigjes ndaj tre kërkesave të dërguara përmes postën elektronike nga policia, Durim Bami, është mbrojtur se nuk ka kuptuar gjuhën dhe qëllimin e dërgimit të tre E-maileve të dërguara.

Por sërisht gjykata ka vendosur të lerë në burg, megjithëse Durim Bami, ka kërkuar të mos ekstradojnë apo deportojnë në Shqipëri, pasi në këtë shtet i rrezikohet seriozisht jeta, për shkak të 16 personave që kërkojnë ta vrasin.

Tashmë çështja kundër të “fortit” të Niklës, ka mbetur në derën e Gjykatës. Durim Bami, duket se është përballë një zgjedhje për të firmosur deportimin e tij nga Dubai në një shtet tjetër, ku ai e ndjen veten i sigurt ose të vendosi një garanci financiare në një bankë në Dubai, me qëllim lirimin e tij nga qelia.

Disa ditë më parë, mbrojtësit e të shumë kërkuarit nga prokuroria e posaçme SPAK, thanë se Bami, ju ka renditur autoriteteve në Emiratet e Bashkuara emrat e 16 personave që sipas tij duan ta vrasin në Shqipëri.

Këta emra i kërkuari i ka marrë prej dosjes “Metamorfoza” (Procedimi Nr. 9 dhe Procedimi Nr.59) ku protagonistë të krimit të organizuar bënin plane ta eliminimin të tij dhe kanë qëlluar me armë kundër tij.

Ky është ndalimi i dytë i Durim Bamit në Dubai. Arrestimi i Durim Bamit, është kryer në datën 21 Tetor 2024, fiks në ditën kur në Tiranë u prangos ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Metaj. Policia ka arrestuar Bamin teksa ndodhej në rrugë.

Herën e parë ai u ndalua për llogari të SPAK-ut në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm, kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.