Lajme

Dy grabitësit e argjendarisë në Kosovë janë djemtë e ish-komandantit të UÇK-së

Dukagjini dhe Korabi, dy të rinjtë e përfshirë në grabitjen e argjendarisë në Kosovë janë djemtë të ish-komandantit të UÇK-së, Zeqir Gashi.

Dukagjin Gashi u vra gjatë operacionit të policisë, teksa personi që u shpall në kërkim është Korab Gashi, vëllai i tij. Ndërkohë, në pranga kanë rënë Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku (pronar i argjendarisë ‘Baraku’ në Prishtinë.)

I plagosur ka mbetur i plagosur edhe një efektiv i policisë. Aksioni është zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai tha se akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë.

“Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar.

Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.

Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njejti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë.

Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë.

Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”,– shprehet Sveçla.