Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar në Pejë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar pas pranimit të informatave se në një lokal në rrugën “Mehmet Akif Peja” po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit.
Njësitë hetimore rajonale, në bashkëpunim me policinë e stacionit në Pejë dhe me autorizim të prokurorit kompetent, kanë kryer bastisje në lokalin në fjalë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë shtatë telefona mobilë, një pajisje DVR dhe një kompjuter portativ (llaptop).
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe janë intervistuar nga hetuesit kompetentë. Pas përfundimit të procedurave fillestare, ata janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të organit kompetent.
