Lajme

Dy persona gjenden pa shenja jete në Prizren dhe Prevallë, nisin hetimet

Dy raste të vdekjes janë raportuar në rajonin e Prizrenit, njëri në Prevallë dhe tjetri në qytetin e Prizrenit. Në njërin rast, viktima ka ndërruar jetë pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë shëtitjes me familjarët, ndërsa në rastin tjetër një person është gjetur pa shenja jete në rrugë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti i parë është raportuar më 15 tetor 2026, rreth orës 13:10, në Prevallë.

Viktima, mashkull kosovar, ishte duke shëtitur me familjarët e tij kur papritur i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij, transmeton “Bota sot”.

Lidhur me rastin është njoftuar Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa rasti është në procedurë.

Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar në rrugën “Shefqet Berisha” në Prizren, ku është gjetur pa shenja jete një person i gjinisë mashkullore, në moshë madhore, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.

Të dy rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente.

Të Ngjashme