Lajme

Dyshohet se mashtroi me prona duke përdorur autorizim të falsifikuar, një parcelë u shit për 150 mijë euro

Policia e Kosovës ka intervistuar një shtetase të huaj, e dyshuar për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, pasi dyshohet se ka përdorur një autorizim të falsifikuar për të shitur prona në emër të xhaxhait të saj. Sipas Policisë, në njërin nga rastet, e dyshuara kishte arritur të shiste një parcelë në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh.

Rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, përkatësisht Sektori për Hetime Financiare në Prishtinë, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë zhvilluar bazuar në informacione relevante, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 395 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më 21 tetor 2026, hetuesit kanë intervistuar të dyshuarën në prani të avokatit mbrojtës. Fillimisht, ajo ishte paraqitur në Polici në cilësinë e ankueses, por pas përfundimit të procedurave lidhur me rastin për të cilin kishte bërë ankesë, hetuesit e kanë intervistuar edhe për një rast tjetër të regjistruar nga DHKEK-u.

Sipas dyshimeve të hetuesve, e dyshuara kishte përdorur një dokument të falsifikuar, përkatësisht një autorizim të siguruar te një noter jashtë Republikës së Kosovës. Dyshohet se ajo kishte paraqitur një person të panjohur me të dhënat e xhaxhait të saj, por me fotografinë e personit të panjohur, duke krijuar përshtypjen se xhaxhai e kishte autorizuar për shitjen e pronave të tij në Kosovë.

Policia bën të ditur se e dyshuara kishte provuar disa herë t’i shiste parcelat e regjistruara në emër të xhaxhait të saj, i cili në këtë rast ishte ankuesi. Në dy raste, ajo dyshohet se kishte arritur t’i shiste pronat, ndërsa në rastin e fundit kishte shitur një parcelë në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh.

Veprimet hetimore janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Pas përfundimit të intervistimit, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarës për 48 orë.

Hetimet lidhur me këtë rast po zhvillohen nga organet kompetente.

Të Ngjashme