Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi ka dalë me një reagim pas raportimit se një paciente me kancer të gjirit ka vdekur si pasojë e mungesës së terapisë.
Në një reagim publik, Kurtishi duke shprehur ngushëllime për secilën familje që përballet me humbjen e më të dashurve të tyre, ka thënë se pretendimet se pacientja ka vdekur si pasojë e mungesë së terapisë Palbociclib për katër muaj nuk qëndron.
Ai ka thënë se në këtë klinikë nuk ka pacientë që ka mbetur katër muaj pa këtë terapi.
“Nisur nga pretendimet e ngritura së fundmi, ku aludohet se përparimi i sëmundjes dhe vdekja e një pacienteje ka ardhur si pasojë e mungesës së terapisë me Palbociclib, ndjehem i obliguar të sqaroj opinionin publik mbi ecurinë e trajtimeve në klinikën tonë. Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë”, ka thënë ai.
Kurtishi ka thënë se pretendimet e tilla të ngritura në publik, shqetësojnë qytetarët e vendit e më së shumti familjet që kanë të afërm që janë duke u trajtuar.
“Mbi të gjitha, ngritja e pretendimeve të tilla në hapësirën publike shqetëson pa të drejtë të gjithë qytetarët e Kosovës, e sidomos pacientët dhe familjarët e tyre që janë aktualisht duke kaluar nëpër këto terapi sfiduese. Ky shqetësim rëndohet edhe më shumë pikërisht tani, në muajin tetor, i cili njihet botërisht si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Në një kohë kur stafi ynë mjekësor është çdo ditë në terren duke dhënë maksimumin për ndërgjegjësimin, parandalimin dhe mbështetjen e grave, përhapja e mesazheve që ngjallin pasiguri dëmton rëndë qetësinë dhe stabilitetin shpirtëror të pacientëve tanë në momentet kur ata kanë më së shumti nevojë për besim dhe shpresë”, ka thënë ai ndër të tjera.
Në reagimin e publikuar të mërkurën, organizata Renesansa ka njoftuar se pacientja nuk kishte pasur mundësi ta siguronte terapinë për shkak të çmimit të lartë. Gjatë periudhës që mbeti pa trajtim, sipas organizatës, asaj iu shfaqën metastaza të reja në tru.
