
1
Një rast i ndjeshëm i dhunës në familje është iniciuar nga Policia e Prishtinës pas deklarimeve të një gruaje, e cila ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj për sjellje kërcënuese dhe shqetësime të vazhdueshme.
Sipas burimeve të Sinjalit, më 20 korrik 2025, është hapur rasti penal për “Dhunë në familje” ndaj të dyshuarit L.D, pas kallëzimit të J.D.D reth 39-vjeçare, e cila jeton vetëm me vajzat e saj që nga ndarja me të.
E dëmtuara ka deklaruar se ish-burri i saj, me të cilin më parë kishin pasur raste të dhunës, është përdorues i substancave narkotike dhe ka probleme të theksuara të shëndetit mendor, për të cilat edhe posedon diagnozë mjekësore.
Ajo ka paraqitur si prova mesazhet dhe thirrjet në rrjetin social Viber, ku i dyshuari i kërkon para duke pretenduar se do të shkojë në Belgjikë dhe madje shpreh synime për të shitur banesën.
Në deklarim, viktima ka theksuar se ndodhet në gjendje të frikësuar, pasi e dyshon se ish-bashkëshorti mund të lëndojë veten apo të kryejë vetëvrasje, siç ka tentuar më parë para syve të fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, edhe fëmijët kanë refuzuar çdo kontakt me të atin.
Pas shqyrtimit të rrethanave, Prokurori i dhunës në familje ka urdhëruar inicimin e rastit penal, ndërsa është njoftuar edhe QPS dhe Zyra për Mbrojtjen e Viktimave. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtjeje, por ka refuzuar strehimin, duke deklaruar se ndjehet më e sigurt në banesën e saj.
Rasti është në procedurë hetimore.