Lajme

​Goditet kontrabanda nga Serbia, sekuestrohen mallra në veri të vendit – policia jep detajet

Njësitet patrulluese të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë të Policisë së Kosovës, në kuadër të Departamentit për Kufi, kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 16 prill 2026, rreth orës 20:05, në një rrugë ilegale ndërmjet fshatrave Beluqe dhe Rvatska në Leposaviq, ku është ndaluar një automjet me vozitësin P.S. (2002), i cili transportonte mallra të ndryshme të dyshuara si të kontrabanduara nga territori i Serbisë.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 38 pako me gjithsej 760 shishe pije alkoolike (birra), si dhe dy pako pije dhe dy pako korneta.

Me autorizim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për “kalim të paautorizuar të vijës kufitare”, ndërsa automjeti dhe malli i sekuestruar janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtejshme nga Dogana e Kosovës.

Personi i dyshuar është liruar pas intervistimit, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Të Ngjashme