Lajme

E pazakontë: Nusja ia vë flakën kishës një ditë para dasmës

Një 25-vjeçare nga Utah, ShBA, është arrestuar pasi dyshohet se i vuri zjarr një kishe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (LDS) vetëm një ditë para se të zhvillohej ceremonia e saj e martesës.
Sipas dokumenteve gjyqësore dhe mediave lokale Fox 13, KUTV dhe ABC 4, policia e Kaysville u njoftua për një zjarr në kishën që ndodhet në West Center Street rreth orës 22:07 të mbrëmjes së 10 korrikut.

Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët folën me familjarët, të cilët po përgatitnin ambientet për dasmën së bashku me nusen, Lenita Joy Moreno, dhe të fejuarin e saj. Ata deklaruan se, pak para se të largoheshin nga objekti, alarmi i zjarrit u aktivizua, transmeton Klankosova.tv.

Familjarët kontrolluan ndërtesën dhe zbuluan flakët në një nga sallat e kishës. Ata arritën ta shuanin zjarrin duke përdorur ujë dhe një fikëse zjarri, përpara mbërritjes së zjarrfikësve.

Hetimet paraprake treguan se zjarri kishte nisur poshtë një karrigeje, ku u gjetën disa sende të pazakonta, mes tyre edhe një tampon, i cili dyshohet se është përdorur për ndezjen e flakëve.

Sipas policisë, dhëndri deklaroi se ai dhe Moreno kishin qenë në të njëjtën dhomë vetëm pak çaste përpara se të zbulohej zjarri.

Gjatë hetimeve u zbulua gjithashtu se çifti kishte vizituar më herët gjatë ditës një dyqan Ace Hardware për të blerë materiale për përgatitjet e dasmës. Kamerat e sigurisë, sipas autoriteteve, kanë regjistruar Moreno duke marrë dy ose tre çakmakë pa i paguar. Ajo më vonë pranoi para policisë se kishte vjedhur diçka nga dyqani, por refuzoi të tregonte se çfarë.

Autoritetet dyshojnë se çakmakët e vjedhur janë përdorur për ndezjen e zjarrit.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se Moreno dyshohet se ndezi zjarrin ndërkohë që pesë persona të tjerë ndodheshin ende brenda kishës. Po ashtu, hetuesit zbuluan se ajo nuk kishte siguruar lejen e martesës për ceremoninë e planifikuar për ditën pasuese, edhe pse kishte deklaruar të kundërtën.

25-vjeçarja u arrestua më 27 korrik dhe u dërgua në burgun e Qarkut Davis. Ajo përballet me akuza për zjarrvënie të rëndë, vjedhje në një biznes dhe dhënie të informacioneve të rreme ndaj një oficeri policie.

Sipas autoriteteve, dëmet e shkaktuara nga zjarri në kishë vlerësohen në rreth 108 mijë dollarë.

Të Ngjashme