Kuriozitete

E rëndë në Fushë-Krujë, humb jetën 16-vjeçari në ashensorin e restorantit, arrestohen kamerieri dhe pronari

Një 16-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të ndodhur në një restorant në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë. Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar në flagrancë kamerierin 26-vjeçar dhe pronarin 62-vjeçar të restorantit.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi më 11 tetor 2026, në ambientet e restorantit në pronësi të shtetasit A. V., ku 16-vjeçari ishte i punësuar si kamerier.

Nga hetimet paraprake dyshohet se kamerieri E. S., 26 vjeç, e ka shtyrë me duar të miturin brenda ashensorit. Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.

Për këtë ngjarje, 26-vjeçari u arrestua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, ndërsa pronari i restorantit, 62 vjeç, u arrestua për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Të Ngjashme