Tre të mitur, 16 vjeç, janë plagosur me mjet prerës pas një konflikti në qytetin e Krumës, në Has. Për ngjarjen, e cila ndodhi mesditën e së premtes, policia ka shoqëruar dy 16-vjeçarë, njëri prej të cilëve dyshohet se ka kryer plagosjen, ndërsa tjetri dyshohet se e ka përkrahur.
Sipas informacionit paraprak të policisë, ngjarja u regjistrua rreth orës 13:35, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, jashtë ambienteve të një bilardoje. Dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, 16-vjeçari me inicialet A. G., ka goditur me biçak tre bashkëmoshatarët e tij, të cilët janë shokë klase me të.
Të plagosurit u transportuan fillimisht në Spitalin Rajonal të Kukësit për të marrë ndihmën mjekësore. Për shkak të nevojës për trajtim më të specializuar, dy prej tyre u dërguan më pas në Prizren.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar të dyshuarin për plagosjen, ndërsa në vijim është shoqëruar edhe një tjetër 16-vjeçar, i dyshuar për përkrahje të tij. Mjeti i dyshuar se është përdorur gjatë ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.
