Enkeleda Millonai është prokurorja nga Berati që ditët e fundit sa po vlerësohet se sa po sulmohet nga media të caktuara. Ajo është prokurorja e posaçme e SPAK që ka dorëzuar në gjykatë kërkesat për miratimin e masave të sigurisë për Berishën, Malltezin dhe Bektashin.
Të tre këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndikuar dhe përfituar nga tjetërsimi i pronave të ish-kompleksit Partizani.
Të shumtë janë aktorët publikë dhe qytetarët që e kanë përkrahur vendimin e prokurores së SPAK, duke e cilësuar atë si një magjistrate me integritet dhe të guximshme, ndërsa një personazh i njohur i aktualitetit politik shkruante se 21 Tetori është një triumf demokracie.
Ndërkohë, media të caktuara e kritikojnë Enkeleda Millonain për vendimin që ka kërkuar për Sali Berishën, duke shmangur mbledhjen e Komisionit të Mandateve në Kuvend, duke që se aktualisht ai është deputet dhe gëzon imunitet.
Kush është prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai
Enkeleda Millonai ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2003 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Ajo ka punuar si sekretare gjyqësore në vitet 2003-2006 dhe më pas si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, atë të Krimeve të Rënda si dhe në Prokurorinë e Elbasanit.
Në vitin 2016, Millonai u komandua zv.drejtuese e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa në prill të vitit 2018 ajo mori drejtimin e kësaj prokurorie. Gjatë kohës që drejtonte këtë institucion, ajo garoi për në SPAK dhe pasi kaloi me sukses vettingun, u emërua prokurore e posaçme.
Ajo është e njëjta prokurore që përfaqësoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj ish-ministrit socialist Arben Ahmetaj, bashkë me kryeprokurorin Altin Dumani.
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme kundër ish-ministrit Arben Ahmetaj ka zbuluar prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e inceneratorëve me vlerë mijëra euro.
Arben Ahmetaj është zyrtarisht i pandehur dhe ndaj tij ka një masë arresti me burg në mungesë, si dhe një shpallje në kërkim ndërkombëtar. Kuvendi vonoi procedurat për heqjen e imunitetit ndaj ish-ministrit, duke bërë që ai të dilte nga Shqipëria para se SPAK-ut t’i dorëzohej mandati i prangosjes.
Ndërkohë, pesë ditë më parë prokurorja Enkeleda Millonai u rikthye sërish në qendër të vëmendjen mediatike dhe publike.
Kjo, pasi ajo është prokurorja që kërkoi në Gjykatën e Posaçme prangosjen e Jamarbër Malltezit, dhëndër i Sali Berishës, caktimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” për këtë të fundit, për shkak të moshës, dhe po të njëjtën masë për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Sipas dosjes së kopsitur nga SPAK, Sali Berisha ka vënë shtetin në gatishmëri të dhëndrit kur ishte kryeministër dhe i ka bërë presion administratës e duke nxjerrë ligje favorizuese për Jamarbër Malltezin, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Malltezi, sipas akuzës, ka përfituar vlera deri në 6.7 miliardë lekë ose 5.4 milionë euro nga kullat e ndërtuara në kompleksin “Magnet”, të cilat me ndihmën e ndërtuesit Fatmir Bektashi i ka futur në qarkullim në kompani të ndryshme duke i pastruar.
Por duket se hetimet dhe përfaqësimi i akuzës nga Enkeleda Millonai nuk janë krejt të rastësishme.
Ajo ka qenë në vitin 2018 në një vizitë studimore në Kroaci, në Zyrën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Një institucion që ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrugën e vendit në Bashkimin Evropian, pasi ka burgosur për korrupsion zyrtarët e politikanë të lartë.
Një rast konkret është dhe ai i dënimit të ish-kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader me 8 vite burg për korrupsion.
Po ashtu, Enkeleda Millonai është trajnuar dhe në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit (ILEA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra në Roswell, New Mexico ku ka qenë Millonai, i shërben zyrtarëve të sektorit të drejtësisë penale në nivel ekzekutiv nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në ILEA.
Disa nga temat e trajnimeve në Programin e Akademisë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit në SHBA përfshijnë luftën kundër korrupsionit, krimin kibernetik, luftën kundër narkotikëve dhe veçanërisht drogave sintetike, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave.
© Ky është një artikull ekskluziv i portalit Newsbomb.al!