LifeStyle

E trishtë – Lamtumirë një legjende: Tony Wilson mbyll sytë përgjithmonë

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare Tony Wilson, një nga figurat kyçe të muzikës britanike dhe bashkëthemelues i grupit legjendar Hot Chocolate.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u konfirmua nga familja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku fëmijët e tij ndanë mesazhe prekëse, duke e kujtuar si një artist dhe prind të jashtëzakonshëm. Sipas raportimeve, Wilson u shua në shtëpinë e tij në Trinidad.

I njohur për kontributin e tij si basist dhe kompozitor, Wilson ishte një nga shtyllat kryesore të suksesit të grupit, së bashku me vokalistin Errol Brown. Dyshja qëndron pas disa prej këngëve më të njohura të muzikës pop dhe soul, përfshirë hitet “You Sexy Thing” dhe “Emma”, që mbeten edhe sot klasike të padiskutueshme.

I formuar në fund të viteve 1960, Hot Chocolate u shndërrua shpejt në një fenomen ndërkombëtar. Grupi hyri në histori si një nga formacionet e para britanike me shumicë artistësh me ngjyrë që arritën sukses të madh edhe në tregun amerikan. Me një stil unik që ndërthurte soul, rock, reggae dhe disko, ata dominuan klasifikimet muzikore për më shumë se një dekadë.

Pas largimit nga grupi, Wilson ndoqi një karrierë solo gjatë viteve ’70, duke publikuar disa albume, megjithëse pa arritur të njëjtin ndikim si në kohën e tij me Hot Chocolate. Ai u tërhoq nga muzika aktive në fund të viteve ’80.

Megjithatë, trashëgimia e tij artistike mbetet e gjallë. Këngët që ai krijoi vazhdojnë të dëgjohen nga breza të tërë, duke e mbajtur emrin e tij të lidhur ngushtë me historinë e muzikës moderne.

Të Ngjashme