ShowBizzz

E trishtë! Ndahet nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i radios në vitet ’70

Pedagogia e njohur dhe zëri ikonik i Radio Tiranës, Vera Zheji ka mbyllur sytë përgjithmonë pasditen e sotme.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga familjarët e saj, ndërsa shkruajnë se ajo jetoi me pasion, gëzim, punë plot 91 vite të jetës së saj, duke lënë gjurmë të paharruara në artin shqiptar.

Vera Zheji është pinjolle e dinastisë kulturore Zheji, motra e gjuhëtarit, filozofit të madh dhe studiuesit të njohur, Petro Zheji.

Ajo lindi më 30 Janar të vitit 1933 në Tiranë. Në vitin 1948, kur ishte vetëm 15 vjeç Vera u bë një zë mjaft popullor për mikrofonin e Radio Tiranës të asaj kohe.

Zheji krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilat identifikoheshin me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.

Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70.

Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.

Në vitin 1975, Vera Zheji la përfundimisht Radion dhe u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.

Ndonëse mbylli sytë përgjithmonë dhe trupi i saj dalëngadalë do të largohet nga kjo botë, profesoreshë, Vera Zheji do të mbetet e gjallë ndër të gjallët me veprat e saja të paharruara në kinematografi, gazetari dhe akademi.