Lajme

E varfër dhe e brishtë, sa muskuj të dobët në Superligë

Nga RETIN TOKA

E kishte ëndërruar gjithmonë. Ishte rritur me pasionin që një ditë të ishte në majë të futbollit europian. Hapat e parë ishin të vështirë. Shqipëria nuk ofronte kushte për një jetë mesatare. Ndaj babai nuk e mendoi dy herë. Bashkë me familjen u zhvendos në Francë. Fillimet nuk do të ishin të lehta për të. Dibrani nuk u tremb, përkundrazi punonte fort çdo ditë për Xhulianon. Skuka kishte lindur në Dibër. Vegjëlinë i ati ia ofroi në Metz. Sfera ishte pjesë e pandashme e tij. Talent i madh. Punonte pak për t’u rritur profesionalisht. Trazovac i pandreqshëm. Megjithatë prindërit ia plotësuan dëshirën dhe e çuan në stërvitje futbolli.

Një ëndërr e bërë realitet në nivele amatore. Xhulio provoi disa skuadra, por nuk mjaftonte për t’u ngritur atje ku të gjithë donin. Shumë menaxherë e kishin parë, talentin ia shquanin dhe ia evidentonin. Fillimisht duhej një përvojë në nivele profesionale. Një telefonatë nga Dibra ndezi fitilin e një të ardhme që u duk e ndritur. Korabi, skuadra e vendlindjes, donte shërbimet e tij. Mundësi e mirë promovimi. Nuk u mendua dy herë. Mori valixhen dhe u nis drejt Shqipërisë. Nisi nga puna me dibranët. Në 1 shtator të 2018-tës firmosi një kontratë profesioniste. Kategoria e Parë u duk se i shkoi për shtat. Me Korabin u shndërrua në lojtarin kryesor. Vrastar para porte. Fatin e kishte me vete bashkë me klubet e Superiores që u turrën drejt tij.

Disa oferta, por nuk deshi të ngutej. Dinamo e Bardhit e bindi dhe me çekun në tryezë. Ndoshta firma me kryeqytetasit ishte më e gabuara në karrierë. Dinamovitët e hodhën në rrugë. Ishte momenti më i keq në jetën e tij. Mirëpo atëherë kur mendon se nuk ke më shpëtim, gjithmonë vjen edhe lehtësimi. Te Partizani Skuka ishte basti për t’u fituar. Në merkaton e janarit të 2022-it firmos me të kuqtë. Inati i akumuluar për mënyrën se si e trajtuan te Dinamo, bëri që te Partizani të shpërthente. Në pjesën e dytë të sezonit shënoi 9 gola. Ritmin e kishte të çmendur. Gojëdhënat tregojnë se në stërvitje nuk ishte shumë i disiplinuar, mirëpo trajnerët kishin mësuar si t’i merrnin më të mirën. Punë fantastike me dibranin mistrec që arriti edhe Kombëtaren. Në janar të 2023-shit merr ofertën e jetës.

Nga Franca, Metzi kërkonte shërbimet e djaloshit që e kishte rritur fizikisht vetë. “Jo bre mos u tallni”, Skuka s’mund ta besonte. Fanelën që e kishte veshur duke luajtur në rrugët e këtij qyteti, tashmë kishte mundësinë ta shëtiste në fushë mes mijëra tifozëve. “President, si do ia bëjmë?”, u duk si pyetje retorike në fakt për Gaz Demin që “gurët” i kishte sistemuar që djaloshi i tij të futej edhe në historinë e futbollit shqiptar. Skuka do të shitej për 1.4 milionë euro. Shifër rekord, e padëgjuar ndonjëherë. Fantastike. Arkat e klubit e kuq u mbushën si kurrë më parë… Historia e Skukës mund të cilësohej si suksesi deri në këtë muaj të ftohtë janari, kur ai u rikthye sërish në Shqipëri. Këtë radhë me barkun e dukshëm dhe kilogramët që treguan se “emigracioni” ishte sportivisht i papërballueshëm për të. Partizani ka punë sërish për ta dobësuar dhe për ta reklamuar në skenën europiane. Sesionet e merkatove në vendin tonë fryhen nga mediat përmes regjive në klube të ndryshme, ndërsa përfundimi është bashkësi boshe, plot me borxhe sikurse do ta shihni dhe në analizën e revistës Newsbomb.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetenëntë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Janar dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo