Lajme

E vranë dhe e groposën fëmijët, flet gruaja e Pëllumb Metës: Isha në arë kur…

Bashkëshortja e Pëllumb Metës, i cili u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij disa ditë më parë në fshatin Shënavlash të Durrësit ka folur lidhur më ngjarjen që tronditi mbarë opinionin në Shqipëri.

Në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Albania, Blerina Meta u shpreh se krimi i rëndë nga fëmijët e saj ka ardhur si pasojë e dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikologjike të Pëllumb Meta ushtronte ndaj saj dhe fëmijëve.

“Së pari dua t’ju them që jam shumë e rënduar nga pikëpamja psikologjike. Ka ndodhur një gjë shumë shumë e tmerrshme, është diçka që ka ardhur si pasojë e një dhune qoftë fizike dhe psikologjike. Ka qenë njeri shumë agresiv, kërcënime për jetën si mua dhe fëmijëve të mi. Unë dija vetëm që dhuna në familjen time ka qenë e pranishme vazhdimisht si për mua dhe për fëmijët e mi. Vajzat s’kanë guxuar të dalin njëherë në derë vetëm. As në dyqan, asgjëkundi, njësoj si unë të shtypura. S’bëhet fjalë të flisnin me komshinjtë, gjithmonë kur ecnin kokën përtokë. Shkonin vetëm në shkollë dhe në shtëpi. Tani me një njeri që të dhunon dhe të kërcënon për jetën, padyshim që do kishin frikë dhe fëmijët. Ai kishte armë, pasi punonte roje, frikën ia kishim që të gjithë ndaj arriti kjo punë deri këtu. Një njeri që është agresiv, i dhunshëm, autoritar dhe i armatosur, është normale që ia ke dhe frikën”, tha ajo.

Ditën e krimit monstruoz, Blerina tha se ndodhej në arë për të mbjellë jonxhë.

“Unë do të them atë që unë di. Unë kam qenë në shtëpi pasi punoj me bujqësi. Ditën e shtunë jam marrë me mbjelljen e jonxhës në periudhën që ndodhi ngjarja. Në drekë kam dalë nga shtëpia. Kur jam kthyer fëmijët nuk më kanë treguar. Jam në gjendje shumë të rënduar. Unë nuk u shqetësova atë ditë pasi im shoq punonte roje dhe herë vinte në orar, herë jo. Bënte lëvizje vazhdimisht, nuk kishte një orar specifik, mund të mos vinte dhe dy ditë rresht, mund të vinte në mëngjes, ose në 12 të drekës, pasi natën ishte në punë”, tha ajo.

Bashkëshortja e të ndjerit rrëfeu se ajo dhe fëmijët e kishin frikë të atin. Sipas saj Pëllumb Meta ishte i dhunshëm dhe i armatosur dhe se herë pas here kërcënonte me jetë atë dhe fëmijët. Gruaja tregoi se Pellumbi gjithmonë merrte vendime dhe nuk pranonte kurrë të komunikonte me fëmijët, por për çdo gjë iu thoshe do t’ju vras do ju djeg me benzinë.

“Nuk kam bërë asnjëherë denoncim se kisha frikë nga ai njëri. Na ka mbajtur gjithmonë të shtypur, nga frika nuk shkonin as fëmijët që ta denonconin. Mua më kërcënonte dhe nëse ndonjë nga fëmijët më dilte në krah u thoshte do ju vras dhe do ju djeg të gjithëve, shkonte direkt në dhunë. Me mua e kishte të përditshme. Nuk e di sa herë i kam larë muret e shtëpisë me gjakun e kokës time”, tregoi ajo.

Kujtojmë që fillimisht u raportua se Pëllumb Meta ishte zhdukur, më pas u raportua se Meta ishte vrarë nga vajza e tij 19-vjeçare, pasi i ati dëshironte ta fejonte dhe martonte pa dëshirën e saj me një emigrant.

Policia zbardhi ngjarjen, ku rezultoi se Hysen Meta, djali 25 vjeçar i familjes Meta nga Shënavlashi i Durrësit, ka qëlluar me 4 plumba babain duke e lënë të vdekur, ndërsa me motrën, 19-vjeçaren Hygerta Metën e kanë groposur trupin. Dijeni për ngjarjen kishte edhe vëllai tjetër, i cili ndihmoi që të largonin makinën, që të dukej sikur i ati ishte zhdukur.

Në lidhje me ngjarjen Policia e Durrësit ka arrestuar në kushtet e flagrancës tre fëmijët e familjes Meta, djalin e madh Hysen Meta të akuzuar për vrasje, vajzën 19 vjeçare Hygerta Meta e akuzuar për bashkëpunëtore, djalin 21 vjeçar Amarildo Meta për përkrahje të autorëve të krimit dhe ka proceduar nënën, Blerina Meta.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo