ShowBizzz

“Edi Rama intriganti…”/ Monika Kryemadhi analizon politikanët si banorë në BBVA: Ja rolet që u jep të tjerëve

Monika Kryemadhi ishte një prej opinionisteve të “Big Brother VIP Albania 5”, ndërsa së fundmi ka provuar ta zhvendosë lojën e formatit në një terren krejt tjetër: politikën shqiptare.

E ftuar në “Pushime On Top”, Kryemadhi u pyet se si do t’i shihte disa prej politikanëve shqiptarë në rolin e banorëve të “Big Brother”. Përgjigjet e saj nisën me një koment mbi mënyrën se si, sipas saj, ka ndryshuar figura e politikanit.

“Ka ndryshuar fizionomia e politikanit. Nuk është më politikani që është në aparencë shtetar, që merr vendime në kuadër të sovranitetit të vendit. Sot politikani është bërë tregtar. Nuk di çfarë të them por do kisha qejf njëherë Zegjinenë në Big Brother. Se pavarësisht sulmeve që kemi, ajo ka bërë një zgjedhje të rreshtohet përpara një gjëje që edhe ajo nuk është e bindur në atë që bën.”

Kur iu kërkua të zgjidhte “strategun e shtëpisë”, Kryemadhi përmendi Ilir Metën, pavarësisht historisë dhe marrëdhënies personale mes tyre.

“Strategu i shtëpisë? Për mua strateg politik ka qenë Ilir Meta, pavarësisht marrëdhënieve personale. Ka pasur një objektiv, funksionimi i një strukture shtetërore. Pavarësisht se ajo nuk mund të ekzistojë, ka qenë perfekt në lojën e shahut që ai ndërtonte.”

Për kategorinë e “intrigantit”, përgjigjja e saj ishte Edi Rama.

“Intriganti? Edi Rama. Ja fut të gjithëve. Por do ta hajë vetë ndonjë ditë.”

Ndërsa për “mbretin e shtëpisë”, Kryemadhi nuk zgjodhi asnjë emër.

“Mbreti i shtëpisë? Vetëm mbret nuk ka Shqipëria. Edhe në kohën e Skënderbeut, me principata kemi qenë.”

Sali Berishën, nga ana tjetër, ajo e vendosi në rolin e protagonistit të kamerave.

“Protragonisti i kamerave? Berisha. Edhe për moshën që ka është protagonist. Unë kam vdekur me atë që ka thënë tani, një maternitet në SPAK. Është shumë lart. Nuk i shkon në mendje një 20-vjeçari.”

Për politikanin që sipas saj do t’i shpëtonte nominimit, Kryemadhi zgjodhi Lulzim Bashën, ndërsa Erion Braçen e vendosi në rolin e banorit impulsiv.

“Banori më impulsiv. Në përgjithësi impulsivët janë shpirtmirë. Por nuk shoh ndonjë shpirtmirë në politik. Mund të quaj Erion Braçen.”

Në fund, Niko Peleshin e cilësoi si “paqebërësin” e mundshëm të shtëpisë, ndërsa për lojtarin e heshtur kishte një tjetër emër.

“Lojtari i heshtur? Damian Gjiknuri”, u shpreh Kryemadhi.

Të Ngjashme