Lajme

Edi Rama në këshillin e Internacionales Socialiste në Spanjë

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë këtë të shtunë në mbledhjen e Këshillit të Internacionales Socialiste, e cila po mbahet në Madrid. Takimi drejtohet nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili është njëherësh dhe President i Internacionales Socialiste.

“Madrid – Në takimin e Këshillit të Internacionales Socialiste ku nën udhëheqjen e Presidentit të IS, kryeministrit të Spanjës Pedro Sánchez, morëm një sërë vendimesh të rëndësishme”, shkruan Rama, teksa ndan dhe pamje nga takimi.

Kryeministri shqiptar dhe njëherësh drejtuesi i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka mbajtur dhe një fjalë në mbledhjen e sotme të Këshillit të IS.

Një pjesë të rëndësishme të diskursit e ka zënë dhe lufta në Ukrainë, e cila sot shënon dy vite nga nisja e saj dhe hyn në zyrtarisht në vitin e tretë. Kryeministri spanjoll gjatë fjalës së tij, është ndalur te puna e qeverisë së tij dhe fokusi i viteve të tjera përpara.

“Ne jemi një Qeveri e lindur nga nevoja për t’i dhënë fund korrupsionit të administratës së mëparshme dhe që e ka bërë shembullin flamurin e saj. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e pamëshirshme, pa marrë parasysh se nga vjen dhe kushdo që të bjerë”, është shprehur ai.

Përsa i përket luftës në Ukrainë, ai është shprehur se Evropa dhe Perëndimi duhet të kenë një qëndrim të vendosur për regjimin e Putinit, në Rusi.

“Sot bëhen dy vjet nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Mijëra jetë të sakrifikuara në një ëndërr imperialiste që jo vetëm shkatërron një vend, por ndikon edhe në stabilitetin dhe paqen botërore.

Ne duhet të mbajmë një qëndrim të vendosur ndaj Putinit. Ne kërkojmë fundin e agresionit rus dhe respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Spanja do të jetë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, është shprehur Pedro Sanchez.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo