“Njerëz dhe Fate” më në fund do të rikthehet për mbarë publikun shqiptar. Edhe pse nuk do të jetë serial pasi realizimi ka qenë i pamundur nga mungesa e fondeve, shqiptarët do të kenë mundësi që nga 1 nëntori të shohin vijimin në versioni film në të gjitha kinematë.
Aktorja Eni Jani ka dhënë së fundmi një intervistë për kanalin YouTube të revistës “Bordo” dhe ka patur zbuluar detaje nga filmi. Ajo që shumë është diskutuar në rrjet pas daljes së promos, është pjesëmarrja apo jo e aktorit Robert Ndrenika, dhe e keqardhur për “Bordo” Eni zbulon se ai nuk do të jetë pjesë e filmit.
“Jo për fatin tonë të keq edhe të filmit, Robert Ndrenika nuk është pjesë. Kjo ishte zgjedhje e tija që mendoj që do ndihet goxha në film mungesa e tij”, tha Eni.
Ndërkohë aktorja ka ndarë emocionet e sheshxhirimit, duke zbuluar se dhe për kastin e aktorëve ka qenë i mezipritur ky moment, “Ka qenë një nga gjërat që është punuar fort për ta rikthyer edhe nuk është se ka qenë një gjë e momentit, por ka qenë diçka e menduar kohë më parë. Është dashur kohë që të vinte momenti dhe të bëhej e realizueshme. Sigurisht e kam patur me shumë dëshirë rikthimin e ‘Njerëz dhe Fate’. Ka qenë një nga gjërat me të cilën unë kam nisur karrierën time”.
E pyetur për ndryshimet që ka pësuar në këto vite personazhi e Erës, ajo tha, “Era është bërë nënë e dy fëmijëve. Filmi nis me lindjen e vajzës së Erës. Djalin e ka të rritur dhe është bërë dhe me një vajzë. Nuk është se flitet shumë për zhvillimin nga ana profesionale apo në karrierë të Erës, sepse duke qenë se ajo sapo ka lindur vajzën detyrimisht duhet të merret me vajzën. Por është një suport shumë i rëndësishëm i vëllait të saj Florit, i cili ka problematika të cilat kanë nisur në këtë film aty ku mbetën te seritë e para”.
Eni është kthyer 22 vite pas dhe ka kujtuar momentin kur është transmetuar seria e parë e “Njerëz dhe fate”, “Unë kam qenë në xhirime në Pogradec kur është dhënë seria e parë e ‘Njerëz dhe Fate’ dhe të nesërmen kur kam dalë në Pogradec më njihte i gjithë Pogradeci. Më ndalonin të gjithë në rrugë, ka qenë një emocion shumë i bukur, kuptohet me moshën mua më dukej një gjë shumë e madhe. Sepse unë dhe vetë fitimi i audicionit për të qenë pjesë e serialit më dukej një gjë e pabesueshme, por u mësova pak nga pak me atë ndjesinë e të qenit e njohur dhe pjesë e çdo familje nëse do mund ta quaja kështu nëpërmjet serialit”.
Më poshtë do të shihni videon e plotë:
bal