
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Andis Rado
Veshja: Bora Kokëdhima
MUAH: Olti Shulla
Një vajzë e vogël rebele me temperamentin e një fitueseje, që sfidonte pa drojë në mënyrën e saj, sot është një vajzë e madhe. Një grua që frymëzon dhe lufton çdo ditë etikën që ka vendosur masa. Feminizmi është një term që me apo pa dashje, duket se është lidhur në mënyrë të pashmangshme me emrin e Ina Kollçakut dhe sipas saj, kjo ka ndodhur se Ina ka zgjedhur të jetë vetë një shembull i një gruaje të lirë që refuzon barrierat.
Ina, nëse do të të kërkoja shkurtimisht të përshkruaje këtë periudhë jete për ty, si do të ishte?
Kjo periudhë jete për mua është fillimi i një dekade shumë të rëndësishme. Më në fund jam gati të jem brand-i i gjithë punës që kam bërë deri tani për t’u ndërtuar.
“Aromë Gruaje” të ktheu sërish në ekran. Një program që përfshin në bashkëbisedim tejet organik dy gra. Si je gjendur?
“Aromë Gruaje” m’u propozua nga një grua që unë vlerësoj maksimalisht dhe do të isha vetëm e lumtur nëse pas 30 vjetësh dukem si ajo fizikisht, kam energjinë e saj dhe mendësinë e saj. Vasilika Londo ishte ajo që donte të sillte në ekran një bisedë intelektuale por filozofike, të dy grave që aq sa ngjajnë, aq edhe nuk ngjajnë. Unë dhe Vasilika ende nuk kemi gjetur dy koncepte që i mendojmë ndryshe. Edhe pse e kemi lënë “Arome Gruaje” të rritet organikisht, do të jetë bashkimi ynë që do e bëjë të rëndësishëm këtë emision në të ardhmen. Vizioni ynë është afatgjatë dhe kjo është vetëm ngjizja.
Feminizmi është një term që me apo pa dashje, duket se është lidhur në mënyrë të pashmangshme me emrin tënd. Pse?
Për herë të parë në ekran feminizmi u pa si veprim dhe jo si teori, duke ditur që ‘reality show’ nga i cili u bëra e njohur publikisht më lejoi të tregoja si funksionoj si vajzë. Mendoj që prandaj njerëzit e lidhin me mua këtë term, sepse e panë të vërtetuar dhe jo si teori. Unë funksionoj me struktura barazie dhe lirie reale në jetën time dhe pata mundësinë ta vërtetoj.
Në vendin tonë vajzat dhe gratë sulmohen vazhdimisht te morali, ndërsa burrat kurrë. Pse kemi ngecur kaq keq në mendësi të tilla sipas teje?
Ky është një cikël vicioz që e vazhdojnë dhe burrat, por dhe vetë gratë. Shumë gra përpiqen ta ofendojnë njëra-tjetrën në moral, sepse janë rritur me këtë mendësi. Mendoj që kemi shumë shpresë, sepse ka filluar të ndryshojë. Nëse do t’i jepja një shpjegim, do ta lidhja me pavetëdijen kolektive që nga neandertali i parë. Një grua do 9 muaj të lindi fëmijë. Kjo e bën shumë të rëndësishme në instinktet primare të një burri, i cili 9 muaj mund të riprodhojë me gra të tjera. Kjo frikë e bën gruan sa të çmuar, aq dhe të kufizuar biologjikisht. Të pasurit fuqi në pronësimin e një gruaje, e bën një burrë të sigurt që do të vazhdojë riprodhimin e gjeneve te tij. Me këtë logjikë kaq primitive, bazuar në instinkte mbijetese dhe biologjike, cikli nuk mbaron deri në momentin që ne nuk fillojmë ta shohim veten të shkëputur nga riprodhimi, por si qenie me bazë dashurinë.
Çfarë mendon se ka ndikuar tek Ina në të qenit një grua e lirë në të gjitha dimensionet?
Prindërimi dhe edukimi. Unë kam lindur një fëmijë rebel dhe kam sfiduar gjithmonë në mënyrën time. Pata fatin të kem një baba kavalier, që më plotësonte thuajse gjithë dëshirat e mia, edhe jashtë mundësive të tij dhe një nënë të orientuar në edukimin qytetar dhe ‘buone maniere’. Të dy njëzëri konsideronin shkollimin si shumë të rëndësishëm dhe nuk ka qenë kurrë fokusi te një partner apo martesë, përveç shkollimit dhe pavarësisë. Patjetër kam sfiduar mentalitetin e tim ati, si dhe sjelljen pasive ndonjëherë të nënës sime. Unë jam ajo që jam falë prindërve të mi, një jete të pavarur që fillon me përfundimin e adoleshencës dhe falë Zotit që përzjeu tek unë një vajzë të vogël rebele me temperamentin e një fitueseje të vogël, që tani është e madhe.
Ke patur ti trauma fëmijërie? Çfarë dhe si e kujton atë periudhë?
Çdo fëmijë ka trauma. Ajo që mund të jetë traumatike në një moment të caktuar, mund të jetë një ndodhi në dukje shumë neutrale. Unë mbart shumë trauma që i përkasin të shkuarës sime, me të cilat kam punuar dhe punoj çdo ditë. E rëndësishme është t’i identifikojmë ato dhe mos t’i lejojmë të na prishin marrëdhëniet e bukura që ndërtojmë në të tashmen.
Ina, e ke parë veten ndonjëherë në politikë?
Një grua e lirë dhe një grua në politikë janë shumë larg. Nuk e kam parë kurrë veten në politikë, sepse unë e para nuk besoj në liri kur je e përfshirë në politikë. Politika kërkon etikën që ka masa dhe unë nuk do ta kem kurrë, sepse e refuzoj dhe e luftoj.
Jemi në prag festash, çfarë ndjesie të jep kjo atmosfera e dritave këtë periudhë të vitit?
Unë nuk jam njeri festash. Festoj çdo ditë gjëra të vogla. Gjej gjithmonë një shkak personal për të hapur një verë të mirë ose shampanjë, ose udhëtuar, ose pak ‘shopping’. Festat janë gjithmonë në familje. Ky është pakti që kam unë dhe motrat e mia. Edhe pse me prindër të divorcuar, i balancojmë festat mrekullisht sepse mblidhemi të pestë, pavarësisht se secili nga ne të pestë ka jetën e tij/saj. Krishtlindja është gjithmonë te gjyshërit ortodoksë dhe Viti i Ri te gjyshërit myslimanë. Me rëndësi është të jemi me familjen tonë. Jeta ikën kaq shpejt dhe falë Zotit për data të caktuara, për pak momente, duhet t’i kalojmë me njerëz që duam vërtetë.
Në cilën epokë (të kaluar) do të doje të kishe jetuar? Pse?
Do të doja të kisha jetuar në periudhën Romantike. Është letërsia që pëlqej më shumë, piktura që pëlqej më shumë, skulptura që pëlqej më shumë dhe filozofët që pëlqej më shumë. Është një periudhë që për mua, simbolizon lirinë për dashuri dhe luftën kundër doktrinës.
Nëse një adoleshente ndodhet e dyzuar mes shembujve të shtrembëruar të rrjeteve sociale dhe dëshirës për t’ia dalë vetë, çfarë do t’i thoshe?
Unë nuk di të flas me adoleshentët. Çfarëdo të themi ne, ata do të bëjnë atë që u thonë hormonet e tyre. Çdo brezi i duket i shtrembët brezi që vjen dhe modelet e pavlera. Pas 30 vitesh do t’i shohim si revolucionar. Duhet vetëm t’i pranojmë dhe të mundohemi t’i kuptojmë.
Ina dhe dashuria në ç’ujëra po notojnë këto kohë?
Unë dhe dashuria notojmë gjithmonë bashkë. Unë jetoj për dashuri, vdes për dashuri dhe luftoj çdo ditë të mbroj dashurinë time. Gjëja më e çmuar që kam është dashuria dhe më e shenjta është prapë Ajo.
Beson se i duhuri duhet patjetër të plotësojë disa kritere, apo dashuria të shemb çdo pritshmëri?
Mendoj se i duhuri e bën gjithë qenien tënde të bërtasë që është i duhuri. As që duhet të mundohesh fare për ta zbuluar. E vërteta është që i duhuri plotëson kriteret dhe prandaj ti e dashuron. Të paktën kështu është në imagjinatën time, sepse nuk e kam gjetur ende (qesh).
Së fundmi vjen me një ‘dhuratë’ për gratë dhe vajzat. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
“I Dashur Ditar” është fillimi i kontributit tim te vajzat dhe gratë në nivel psikosocial. Të gjitha pyetjet që prej vitesh tashmë marr prej tyre, orientohen drejt vetëvlerësimit, vetëbesimit dhe njohjes së vetes. Pasi perceptova që janë këto, ato që vajzat dhe gratë vlerësojnë më shumë tek unë, vendosa të ndihmoj në rrugën drejt saj dhe “I Dashur Ditar” është vetëm hapi i parë, i një kontributi të drejtpërdrejtë te ndjekëset e mia. Kam punuar me të mbi një vit e gjysmë dhe jam shumë e lumtur që tashmë është në treg.
bal