
Një dokumentar me 6 seri mbi historinë, traditat dhe gjuhën e arbëreshëve të Italisë do të jetë gati vitin e ardhshëm. Ky dokumentar, që zbulon një pjesë të kombit tonë që është larguar para disa shekujsh, është realizuar nga kampioni Lorik Cana, i cili këtë mes nëntori erdhi me një premierë në kinema, ku shfaqi një përmbledhje nga ky rrugëtim. Ndërkohë që në një bisedë me “Bordo” ndau detaje nga realizimi i këtij dokumentari, i cili pritet të jetë një tjetër sukses i kampionit Cana..
Lorik, urime për premierën! Të përmendim që këto ishin disa sekuenca nga i gjithë dokumentari që do të jetë 6 seri dhe do të shfaqet vitin e ardhshëm apo jo?
Do të shfaqet vitin e ardhshëm dhe është një sekuencë me 6 seri. Sot jemi munduar të bëjmë një përmbledhje nga ky rrugëtim që kemi bërë dhe t’ju japim dëshirë njerëzve që ta shohin dhe ta ndjekin. Ka qenë shumë e rëndësishme që të vijmë dhe ta prezantojmë, të ketë një pritje për dokumentarin. Që besoj ka për t’u pritur në mënyrë shumë të mirë.
Pse me Arbërinë, pse për arbëreshët, pse zgjodhe pikërisht këtë temë, si lindi ideja?
Ideja kryesore ka lindur duke e patur partner Arbër Agalliun, që i njeh shumë mirë ato trevat ku ka lëvizur këto 15 vitet e fundit. Kanë qenë 2 arsye kryesore, arsyeja e parë ka qenë të ndezim dritë nga pjesa tjetër e Shqiptarisë, e Arbërisë, e arbëreshëve. Sepse aq sa ata kanë nevojë për ne, edhe ne kemi nevojë për ata, kanë qenë të rëndësishëm në momente të rëndësishme të historisë sonë dhe nuk duhet të mbetet me kaq në të kaluarën. Janë akoma realë, janë akoma në jetë, kanë shumë mallëngjim, kanë shumë dëshirë për të njohur. Pika e parë t’ju jap mundësi njerëzve tanë këtu te ne, duke i vizituar dhe të nxisim sa më shumë marrëdhëniet dhe shkëmbimet mes nesh. Arsyeja e dytë është që këta çuna arbëreshë, se mendojnë që janë vetëm ata para 500 viteve. Arbëreshë janë akoma edhe shqiptarët para 30 viteve, shqiptarët para 20 viteve, shqiptarët që emigrojnë. Nëse ata marrin shembull nga arbëreshët e vjetër për trashëgiminë, ruajtjen e gjuhës edhe promovimin e kulturës shqiptare, është një shembull për ne që duhet ta ndjekim. Dhe besoj që është një shembull shumë i mirë për ne dhe është e jona si shqiptari, se nuk ka raste të tilla shumë si arbëreshët në Itali.
Nga i gjithë udhëtimi yt aty, nga takimet me njerëzit çfarë mësove ti diçka të re?
Shumë gjëra, shumë mënyra të disa emrave që ata i përdorin, ne i dimë por nuk dimë se çfarë do të thotë. Në mënyrën se si e kanë trashëguar, sa e rëndësishme ka qenë edhe pjesa e besimit në trashëgiminë e gjuhës. Vështirësitë që kanë dhe në momentin që e mësova sa e rëndësishme është për projekte të tilla, për t’i nxitur këto marrëdhënie që po vijnë nga momentet më të vështira. Sepse pjesa e qytezave po mbeten vetëm të vjetërit, të rinjtë po largohen dhe gjuha po fillon të zbehet. Por mënyra se çfarë atdhedashurie kanë dhe çfarë përkatësie etnike dhe identitare kanë me vendin tonë, është e jashtëzakonshme. Përveç se kam bërë shumë miq të rinj, kam zbuluar shumë vende të mira dhe prandaj edhe njerëzit që do ta shikojnë do të lidhen dhe do të bëjnë një miqësi të jashtëzakonshme, që ata me padurim presin në anën tjetër të Adriatikut.
Më bëri përshtypje që nuk kemi dëgjuar fare italisht gjatë gjithë dokumentarit, vetëm shqip dhe arbërisht.
Ky ishte dhe qëllimi, ne do të shohim se sot ishte dhe pak dinamike, kishte shumë sekuenca filmike. Por jemi munduar që ta mbajmë shqip-arbërisht, sepse është nëpërmjet vështirësive tona për të marrë nga ajo shqipja arkaike që e kanë patur. Është ajo që neve na ka mbrojtur identitetin, shkrimin, jemi munduar që ta mbajmë sepse doja që njerëzit të shohin se çfarë do të përjetojnë kur të shkojnë atje. Kjo e ka bërë dhe më interesante.
Së fundmi për të gjithë ata njerëz që presin të shfaqet ky dokumentar vitin e ardhshëm, pas disa muajsh çfarë presin të shohin në ekran?
Një mënyrë shumë spontane të një rrugëtimi shumë spontan, se e kemi bërë në mënyrë sikur dikush të ketë një pikënisje, një kontakt të cilin mundohemi t’ia japim të gjithë shoqatave atje, që i presin njerëzit tanë. Dhe do të shkojnë të zbulojnë një pjesë të historisë së kombit tonë që është larguar para disa shekujsh, por që na ka ndihmuar në momente të rëndësishme dhe që do të rilidhet me ne. E kemi bërë në një mënyrë që nuk di ku shkon dhe shkon sheh gjuhën dhe se si kanë jetuar, sheh ushqimin, sheh traditën. Sheh se si kanë jetuar në një vend, le të themi në atë kohë të huaj dhe janë bërë vlerë e shtuar e atij vendi. E kemi bërë në mënyrë që çdo shqiptar ta kuptoj dhe ta kuptoj dhe nëpërmjet vështirësive të komunikimit, të gjuhës. Besoj se e kemi bërë në mënyrë shumë të mirë në sekuenca dhe seriale. Është një dokumentar i shkurtër, nga 40 minuta, janë shumë të shpejtë dhe të lezetshëm për t’i ndjekur.
Galeria fotografike
bal