ShowBizzz

Ekskluzive/ Njihuni me Sergio Hajdinin!

Nuk ka të dytë në skenën e muzikës shqiptare që ka stilin e Sergio Hajdinit. Flokët, mjekra, e pastaj gjithë veshja e tij, qoftë në performancat muzikore, por edhe në jetën e përditshme, kanë një prekje paksa hindi, gërshetuar me sport dhe klasike. Arsyeja: sepse stili është një kompozim tërësisht i artistit, Sergio. Ndërsa mbylli një muaj intensiv me krijimet e tij në “Këngën Magjike”, me Kamela Islamajn dhe Flavia Zeren, duket se Sergio ndihet i lumtur që mori vlerësimet maksimale, ato që një artist pret gjithnjë nga kompeticionet muzikore. Që fëmijë ka studiuar muzikë, piano e më pas u katapultua nga “The Voice” drejt muzikës, në Shqipëri dhe projekte në Itali. Pas 10 vitesh ai është kompozitor, producent e tekstshkrues, dhe një këngëtar që ka prekur me sukses skena, si Festivali i RTSH-së dhe “Kënga Magjike”. Për “Bordo”, ai flet për muzikën, por edhe stilin unik, të cilin më së shumti e koncepton vetë…

Sergio, urime për “N’Pasqyrë”! E prisje suksesin?

Me thënë të drejtën e prisja, por është duke ecur akoma më mirë seç e prisja. Kështu që jam falënderues.

Jam kurioz të di si u krijua kjo këngë, ka shumë emocion dhe shumë harqe…

Kjo këngë është krijuar shumë spontanisht, unë kam qenë duke luajtur dhe duke krijuar në piano dhe ka ardhur intro si fillim, pastaj melodia dhe më vonë është bërë gjithë produksioni.

Nuk është hera e parë që punon me Kamelën, si do ta përkufizoje atë?

Kamela është një profesioniste, një këngëtare shumë e mirë teknikisht, por dhe melodikisht, ka një vokal shumë të gjerë dhe është një nga mikeshat e mia më të mira në muzikë dhe në jetë sigurisht.

Ekskluzive/ Njihuni me Sergio Hajdinin!

Je këngëtar, producent, kompozitor, tekstshkrues, ku ndihesh më mirë?

Më mirë ndihem si kompozitor, si këngëtar dhe në fund vjen teksti.

Je dalluar që në fillim për stilin, a ka një fillesë ku dhe nga u ndikuat?

Stili mendoj që është ndikuar që nga fëmijëria dhe pastaj duke ardhur dhe duke studiuar muzikë, është rritur dhe vetëbesimi dhe këtu pastaj kam filluar të krijoj gjërat e mia.

A ka një njeri që kujdeset për pamjen tuaj skenike?

Në evente pak më të mëdha ose në festivale të ndryshme ka. Por zakonisht idetë primare i kam vetë, por pastaj konsultohem dhe me profesionistë.

A ka një vend ku shkon dhe blen veshjet, apo i bën me porosi?

Së fundmi i bëj vetë, por në raste pak më specifike mund të blej diçka.

Kush është guruja yt i stilit?

Guruja im i stilit jam unë vetë.

Kur sheh foto e tua, sa ka evoluar stili i Sergios?

Nuk do të thosha se ka evoluar shumë, por së fundmi unë kam miksuar klasiken le të themi, me pak sport edhe pak hindi.

A mban të njëjtin stil si në skenë dhe në jetën e përditshme?

Pothuajse po, sepse unë jam gjithë kohës nëpër evente ose edhe nëse jam në studio, por ka ditë që jam edhe më thjeshtë sigurisht.

Ekskluzive/ Njihuni me Sergio Hajdinin!

Cili është aksesori yt i preferuar?

Nuk më pëlqejnë shumë aksesorët, zakonisht një orë maksimumi mund të mbaj.

Sa rëndësi kanë markat që zgjedh?

Nuk kanë rëndësi, rëndësi ka që unë të ndjehem mirë dhe të jem i kënaqur me veten.

Mbi 10 vite me flokë të gjata, për kë do t’i prisje ato?

Nëse shkoj në Hollywood ose bëj ndonjë gjë, pse jo.

Për çfarë e sheh veten më shumë në pasqyrë?

Në pasqyrë e shoh veten ndonjëherë për mjekrën, gjëra të vogla.

Një djalë kaq simpatik dhe i kuruar ka dikë në jetë?

Po edhe e ka, por ngelet surprizë.

Ju përgjigjesh vajzave që të shkruajnë në DM?

Unë jam ‘gentle’, kështu që zakonisht u përgjigjem pse jo.

Ke dalë me ndonjë vajzë që e ke njohur në DM?

Po, ka ndodhur.

Të pëlqen të kesh një partnere të famshme apo një vajzë që nuk ka lidhje me famën?

Mua më pëlqen që të kem dikë që të ndihem mirë, dhe pastaj profesioni nuk ka shumë rëndësi.

Je natyrë aventuriere apo të tremb rreziku?

Tani ndoshta pak me moshë jam qetësuar disi, por aventura të bukura gjithmonë ka në jetë.

Cila është aventura më e çmendur që ke bërë?

Nuk më vjen diçka tani, por siç thashë së fundmi jam qetësuar, kështu që ndoshta do të ketë në të ardhmen.

Cila është ëndrra jote më e madhe?

Ëndrra ime më e madhe ose të shkoj në Hollywood ose të marr një Oscar.

Është fitorja e “Këngës Magjike” një ëndërr?

Është një dëshirë, por po do të ishte shumë interesante sepse materiali, kënga që kemi këtë vit është goxha profesionale dhe e mirë. Kështu që do t’më pëlqente.

Nëse zgjohesh me kupën e fitores së “Këngës Magjike”, çfarë do të bëje?

Do të festoja me miqtë më të afërt dhe do të falënderoja të gjithë ata që kanë votuar dhe kanë pëlqyer këngën.

 



bal