Moderatorja e njohur nga Kosova rrëfen për “Bordo” prapaskenat emocionuese të ekranit, eksperiencën 15-vjeçare në televizion, por jo vetëm…
Edhe pse ende shumë e re, Blerona Zeqiri ka një karrierë prej 15 vitesh në ekranet e televizioneve të Kosovës. Ajo është aq e dashur për publikun, sa pa frikë mund të themi që ka qenë prej kaq vitesh një mysafire e mirëpritur në çdo familje – qoftë me programet e mesditës, por edhe ato të pasdites. Por, para se të jesh e mirëpritur, duhet së pari të të duan, ndaj edhe Blerona ja ka arritur qëllimit, duke u kthyer në modelin e një moderatoreje, e cila reflekton një natyrë solare, por edhe tejet profesionale në raport me të ftuarit në studio. Në këtë intervistë për “Bordo”, ajo rrëfen se pasioni me të cilin e ka nisur këtë rrugëtim nuk ka ndryshuar aspak, madje me vitet, gjithçka është kthyer në një sfidë dhe pavarësisht vështirësive, ato e kanë bërë akoma më të fortë. “Çdo projekt që e kam bërë dhe bëj ka qenë pjesë e ëndrrave të mia. Jam e lumtur që i kam jetuar, dhe i jetoj ëndrrat e mia”.
Blerona, sezoni i ri televiziv sërish në “Studio A”, si ishte ky rikthim?
Definivisht një rikthim që mezi po e prisja, meqë isha mësuar të isha bashkë me shikuesit dhe mysafirët tanë çdo ditë drejtpërdrejt, dy muaj pauzë mu dukën shumë të gjatë, edhe pse padyshim që ishin të nevojshëm pas një pune intensive dhe plot adrenalinë. Gjithsesi e shfrytëzova për t’i mbushur bateritë dhe për të vazhduar aty ku e kishim lënë.
Çfarë risish do të shohim këtë sezon në programin tuaj?
Një frymë e re nga gazetarët dhe kronikat e realizuara në terren. Kemi vajza të reja plot jetë dhe vullnet për punë që gjithë energjinë e tyre rinore dhe profesionale e reflektojnë në realizimin e intervistave e reportazheve shumë atraktive në çdo cep ku ka shqiptarë. Nga ana tjetër, duke qenë emision pasditeje nga e hëna në të premte, vazhdojmë të ndjekim aktualitetin dhe të sjellim larmishmëri.
Çfarë keni bërë për të gdhendur një imazh që identifikon Bleronën me “Studio A”?
Përvoja 15-vjeçare, do apo nuk do, të krijon një imazh identifikues për audiencën besnike që çdo emision apo vetë prezantuesi ka. Jam munduar dhe vazhdoj të mundohem të bëhem një me çdo rrëfim, histori, ngjarje që të ftuarit vendosin të ndajnë me ne dhe kjo më ka shërbyer për të hapur horizontin e pikëpamjeve të ndryshme sociale që vendi ynë ka, duke përfshirë edhe personat e profileve të thjeshta që aq shumë kanë për të treguar.
Nga emisionet e mëngjesit te një program pasditeje, ku ndihesh më mirë?
Nëse orari i dikurshëm i paraqitjeve të mia me projektet e kaluara ka qenë 12:30, definitivisht nuk është orar mëngjesi, por për mua po. Njerëzit e mi të afërt e dinë që unë nuk jam person mëngjesi. Funksionoj më mirë pasditeve. Edhe pse është ndjenjë e mirë që njerëzit ta nisin ditën me ty dhe programin por prapë se prapë, unë jam vetja pas kafes së orës 12:00 (qesh).
Shumë e re, por 15 vite në ekran, si do ta përkufizojë këtë eksperiencë?
Gjatë këtyre 15 viteve në ekran, kam kaluar një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Fillimet e mia ishin plot pasion, por gjithashtu plot sfida. Kam mësuar shumë nga çdo rol që kam interpretuar dhe çdo projekt që kam marrë pjesë. Ndërsa kam hasur vështirësi, ato më kanë ndihmuar të rritem si profesioniste. Kam përjetuar momente të paharrueshme që më kanë formuar dhe më kanë bërë më të fortë. Me gjithë këtë eksperiencë, ndihem e gatshme për sfida të reja dhe për të vazhduar të rritem në këtë industri.
Cila ka qenë intervista që ju ka bërë të ndiheni krenare?
Sa e vështirë t’i ndash! Patjetër që ndjenja e krenarisë ndjehet kur personazhet e lëmive të ndryshme, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në karrierën e tyre dhe në masën e gjerë, ndajnë kohën e tyre dhe vijnë në emision për të dhënë intervistë dhe të shpalosin anën që njerëzit nuk kanë parë më herët nga ta. Ka shumë prej tyre, andaj siç e nisa, e vështirë t’i ndash!
A e kujtoni cili ju ka frymëzuar për të qenë pjesë e televizionit?
Për mua, dëshira për t’u bërë pjesë e televizionit ka ardhur më shumë nga një ndjenjë e brendshme dhe pasioni im, sesa nga një frymëzim specifik. Që nga fillimet, kam ndjerë një tërheqje të fortë për narrativat, shprehjen kreative dhe aftësinë për të arritur te njerëzit përmes ekranit. Besoj se talenti dhe dedikimi im më kanë udhëhequr në këtë rrugëtim, duke më motivuar të eksploroj mundësi të reja dhe të shpreh veten në mënyra të ndryshme.
A keni një model në jetë por edhe në ekran, që e ndiqni?
Nuk mund të them se kam një model specifik në ekran që ndjek, por më shumë më frymëzojnë njerëzit e ndryshëm në jetën e përditshme. Besoj se secili ka diçka të veçantë për të ofruar dhe kam mësuar shumë nga njerëzit që kam takuar, qofshin ata profesionistë, miq apo familjarë.
Çfarë ke sakrifikuar për karrierën, përveç kilogramëve?
E vërteta është se nuk kam sakrifikuar kilogramët për karrierën time; ato kanë qenë një zgjedhje për shëndetin tim. Megjithatë, kam kuptuar se karriera në këtë profesion kërkon sakrifica të tjera çdo ditë. Çdo rol, çdo projekt sjell sfida të reja dhe kërkon përkushtim dhe punë të palodhur. Çdo ditë është një mundësi për të mësuar dhe për të rritur veten, dhe kjo është një sakrificë që e pranoj me gëzim, sepse e dua atë që bëj.
Cili është programi që keni ëndërruar gjithmonë ta drejtoni?
Çdo projekt që e kam bërë dhe bëj ka qenë pjesë e ëndrrave të mia. Jam e lumtur që i kam jetuar, dhe i jetoj ëndrrat e mia.
Dikur ekranet kishin shumë figura mashkullore, sot dominojnë vajzat, a e bën kjo garën më të fortë?
Personazhet e forta gra mund të motivojnë shikuesit, veçanërisht vajzat e reja, duke ofruar modele që sfidojnë stereotipet tradicionale gjinore. Në fund të fundit, një përfaqësim i balancuar në media pasqyron shoqërinë tonë në zhvillim dhe kontribuon në një dialog më gjithëpërfshirës. Kështu që me modesti dhe me një dozë feministe, më duhet të them që jam shumë krenare që titulli i ashtuquajtur “ikonë televizive”, po u takon përgjithësisht grave viteve të fundit.
Përtej ekranit, ju jeni edhe bizneswomen, a ka një njeri që qëndron pas suksesit tuaj?
Të jesh grua në biznes nuk të mjafton të kesh një njeri të vetëm, ke nevojë për shumë njerëz që kryejnë punën e tyre me përkushtim dhe bashkë ia dilni të realizoni qëllimin. Më gëzon fakti që shumë prej këtyre njerëzve që qëndrojnë pas suksesit tim në fushën e biznesit janë zonja të vyera prej të cilave kam mësuar shumë.
Për çfarë do të doje të mbahej mend Blerona nga shikuesit?
Shpesh më thonë se jam bërë thuajse si familje për shikuesit, duke qenë për një kohë të gjatë në ekranet e tyre. Dua të më mbajnë në mend si dikush që u ka sjellë sadopak momente pozitive dhe diçka argëtuese, informuese dhe edukuese nga ajo që kam ofruar për sa vite. Patjetër që edhe ata janë familje për mua. Kështu që dua të kujtohem si dikush që kam qenë gjithmonë ajo e ftuara e mirëseardhur në shtëpitë e tyre përmes ekranit.
bal