Kuriozitete

Ekspertët – Një pasuri e rrallë! Gjendet rubini 11 mijë karatësh, më i vlefshmi ndonjëherë?

Një rubin gjigant prej 11 mijë karatësh është zbuluar në Myanmar, në luginën e famshme Mogok, rajon i njohur në të gjithë botën për prodhimin e gurëve të çmuar. Guri i çmuar peshon 2.2 kilogramë, afërsisht sa një qen i vogël, dhe konsiderohet një nga zbulimet më të mëdha të bëra ndonjëherë në vend.

Sipas qeverisë së mbështetur nga ushtria, rubini ka ngjyrë shumë të rrallë, një e kuqe intensive dhe e ndritshme që konsiderohet më e kërkuara në tregun e gurëve të çmuar. Autoritetet thonë se, edhe pse është më i vogël se rubini rekord prej 21,450 karatësh i zbuluar në të njëjtën zonë në vitin 1996, ky gur mund të rezultojë më i vlefshëm për shkak të cilësisë dhe ngjyrës së tij superiore.

Ekspertët e industrisë thonë se rubinët me cilësi të lartë mund të arrijnë deri në 1 milion dollarë për karat, çka do ta kthente këtë gur në një nga më të shtrenjtët e zbuluar ndonjëherë. Rubinët janë kristale natyrale të mineralit korund. Vlera e tyre përcaktohet kryesisht nga madhësia, pastërtia dhe intensiteti i ngjyrës.

Shumica e rubinëve në treg janë vetëm 1 ose 2 karatësh, ndërsa gurët mbi 3 karatë konsiderohen jashtëzakonisht të rrallë. Myanmar prodhon rreth 90% të rubinëve më të famshëm në botë, sidomos ata të me ngjyrën e gjakut të pëllumbit, të cilët nxirren prej më shumë se 800 vitesh në rajonet Mogok dhe Mong Hsu.

Zbulimi vjen në një moment delikat për zonën e Mogok, e cila vitet e fundit është përfshirë nga përplasje të përgjakshme mes ushtrisë dhe forcave etnike rebele. Rajoni u mor nën kontroll në vitin 2024 nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare Ta’ang (TNLA), por më pas iu rikthye ushtrisë përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë bërë vazhdimisht thirrje që tregtarët e bizhuterive të mos blejnë rubinë nga Myanmar, pasi të ardhurat nga këta gurë të çmuar akuzohen se financojnë regjimin ushtarak dhe konfliktin në vend.

Të Ngjashme