Shumë prej nesh e nxjerrin kremin kundër diellit nga çanta e plazhit sapo nis vera, pa menduar dy herë nëse ai është ende i sigurt për t’u përdorur. Por ekspertët paralajmërojnë se kremi kundër diellit skadon dhe, me kalimin e kohës, humbet aftësinë për të mbrojtur lëkurën nga rrezet e dëmshme UV.
Formulat e kremrave kundër diellit përmbajnë përbërës aktivë që degradohen gradualisht. Kjo do të thotë se, edhe nëse produkti duket “në rregull”, ai mund të mos ofrojë më nivelin e mbrojtjes që premton në paketim. Si kremrat kimikë, ashtu edhe ata mineralë kanë një afat përdorimi të kufizuar.
Në përgjithësi, kremi kundër diellit zgjat rreth tre vjet nga data e prodhimit. Shumica e produkteve kanë të shënuar datën e skadimit ose simbolin që tregon sa muaj mund të përdoret pas hapjes, si për shembull 12M apo 24M. Nëse data nuk duket qartë, ekspertët sugjerojnë të mendoni kur e keni blerë apo hapur për herë të parë.
Megjithatë, ka disa shenja që tregojnë se produkti është prishur edhe para datës së skadimit. Ndryshimi i teksturës është një prej tyre, nëse kremi është bërë shumë i ujshëm, është ndarë në shtresa apo ka krijuar kokrriza, nuk rekomandohet më përdorimi i tij.
E njëjta gjë vlen edhe kur ndryshon aroma apo ngjyra, një erë e çuditshme ose një nuancë e verdhë mund të tregojë se formula është dëmtuar.
Edhe mënyra si e ruajmë kremin ka shumë rëndësi. Temperaturat e larta dhe lagështia mund ta prishin produktin më shpejt, ndaj nuk rekomandohet ta lini në makinë, në diell apo në ambiente shumë të nxehta. Idealja është që kremi të ruhet në një vend të freskët dhe larg rrezeve direkte të diellit.
Ekspertët theksojnë se edhe një krem kundër diellit i pahapur mund të skadojë, pasi përbërësit e tij vazhdojnë të degradohen me kalimin e kohës. Për këtë arsye, nëse keni dyshime për produktin që përdorni, është më mirë ta zëvendësoni.
Një krem i skaduar mund të mos mbrojë mjaftueshëm lëkurën dhe të rrisë rrezikun për djegie, skuqje dhe dëmtime afatgjata nga dielli.
