Kryeministri kërkon statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc i paraqet si kërcënime ndaj sigurisë evropiane.
Shën Stefan, Mali i Zi, 22 tetor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit, duke bërë thirrje për marrjen e vendimit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në adresimin e tij në seancën plenare të Samitit të 13-të të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Kurti ka theksuar se Kosova ka përmbushur detyrimet që varen nga ajo, ndërsa aplikimi për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të presë një vendim nga institucionet evropiane.
Ai u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të kërkojnë nga Komisioni Evropian dhënien e opinionit për aplikimin e Kosovës, t’i japin vendit statusin e kandidatit dhe të hapin negociatat e anëtarësimit.
Kurti ka theksuar se Procesi i Berlinit, i nisur nga Gjermania në vitin 2014, ka kontribuar në bashkëpunimin rajonal dhe në krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të bazuar në katër liritë e Bashkimit Evropian.
Duke folur për përfitimet nga integrimi gradual, ai ka përmendur sistemin e pagesave SEPA, korridoret e gjelbra për lehtësimin e tregtisë me BE-në dhe nismën “Roam Like at Home”, e cila synon të lehtësojë kostot e komunikimit për qytetarët gjatë udhëtimeve.
Sipas Kurtit, përmes SEPA-s qytetarët e Kosovës dhe diaspora pritet të kursejnë rreth 58 milionë euro në vit.
Kryeministri ka theksuar se Kosova duhet të vlerësohet sipas kritereve që Bashkimi Evropian kërkon nga vendet kandidate, duke përmendur përparimin demokratik, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se Kosova e ka përafruar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke zbatuar të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë që nga fillimi i tyre.
Kurti: Sulmet ndaj Kosovës meritojnë përgjigje të përbashkët evropiane
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit, Kurti ia ka kushtuar çështjeve të sigurisë dhe sulmeve ndaj infrastrukturës kritike, duke paralajmëruar për rrezikun që, sipas tij, paraqesin veprimet destabilizuese ndaj demokracive evropiane.
Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Varagë, në nëntor të vitit 2024.
Kurti ka pretenduar se këto sulme janë pjesë e një modeli veprimi që synon të godasë shtetin e Kosovës dhe infrastrukturën e tij kritike.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë dhe që, sipas kryeministrit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Një sulm ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj të gjithë Evropës dhe meriton një përgjigje kolektive, sepse një reagim i ndërtuar rast pas rasti nuk përbën parandalim”, ka theksuar Kurti.
Ai ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte gjithashtu një mekanizëm parandalues ndaj kërcënimeve të sigurisë.
Kryeministri ka paralajmëruar edhe për veprimet e Rusisë kundër infrastrukturës evropiane, duke përmendur hapësirën ajrore, kabllot nënujore, infrastrukturën kritike dhe sulmet që, sipas tij, synojnë të minojnë sigurinë e vendeve evropiane.
Kurti ngre çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Në adresimin e tij, Kurti ka kërkuar që të drejtat e pakicave të trajtohen si çështje e përbashkët në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai ka vënë në dukje se shumë komunitete që përbëjnë shumicën në një shtet janë pakicë në shtetet fqinje, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave të tyre nuk duhet të ndalet te kufijtë shtetërorë.
Kryeministri ka veçuar Luginën e Preshevës, duke pretenduar se shqiptarët atje po përjashtohen gradualisht nga jeta institucionale, publike dhe qytetare.
“Ju bëj thirrje që ta shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët po shtyhen, hap pas hapi, jashtë jetës institucionale, publike dhe qytetare, derisa qëndrimi bëhet më i vështirë sesa largimi”, është shprehur Kurti.
Në përfundim, ai ka theksuar se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë ndër vlerat themelore që bashkojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e tyre evropianë.
Samiti i 13-të i Procesit të Berlinit po mbahet më 22 tetor 2026 në Mal të Zi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e integrimit evropian.
