Testet e pështymës të kryera në shtëpi janë më të mira për të identifikuar kancerin e prostatës sesa testet standarde të gjakut.
Në këtë përfundim del studimi nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Londër. Ky test në shtëpi mund të zbulojë faktorët gjenetikë që rrisin gjasat e zhvillimit të kancerit të prostatës, i cili pretendohet të jetë shkak i rreth 12,000 vdekjeve në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Studimi përfshiu më shumë se 6,000 burra evropianë të moshës 55-69 vjeç dhe rezultatet paraprake tregojnë se testi i pështymës ka identifikuar më pak rezultate pozitive të rreme dhe ka identifikuar një përqindje më të lartë të kancereve agresive.
Aktualisht, burrat që dëshirojnë të testohen për kancerin e prostatës duhet të bëjnë një test gjaku për të matur nivelin e PSA, por ky test nuk i gjen të gjitha kanceret.
Ekspertët, theksuan se testi standard i gjakut mund të çojë në trajtime të panevojshme. Sipas tyre hapi tjetër do të jetë një studim për të gjetur testin më efikas mes testeve ekzistuese.