Lajme

Eksperti amerikan ‘këshillon’ Kurtin, flet për vendimet e fundit – përmend edhe zgjedhjet e reja parlamentare!

Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben Meir në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka komentuar vendimet e fundit të qeverisë Kurtidhe marrëdhëniet e kryeminsitri me ndërkombëtarët.

Si fillim, ai u shpreh se vendimi për mbylljen e institucioneve paralele për serbët në veri është e arsyetuar në tri pika.

Ai përmendi edhe faktet se ku Qeveria e Kosovës është bazuar për një vendim të tillë, megjithëse potencoi se do duhej të shqyrtoheshin edhe disa pika tjera.

“Vendimi i kryeministrit Kurti për mbylljen e pesë institucioneve paralele për serbët me shumicë etnike në veri të Kosovës mund të justifikohet bazuar në tre pika. Së pari, veprimi është në përputhje me marrëveshjet e dialogut të 2013 dhe 2015 që parashikonin mbylljen e institucioneve paralele. Së dyti, është në përputhje me kushtetutën e Kosovës, dhe së treti, ajo pohon të drejtat sovrane të Kosovës për të gjithë Kosovën, duke përfshirë komunat me shumicë etnike serbe. Thënë kështu, mbyllja ngre disa pyetje që qeveria e Kurtit duhet t’i kishte shqyrtuar me kujdes përpara se të ndërmerrte një veprim të tillë”.

Krahas kësaj, Ben Meir hodhi disa pikëpyetje mbi këtë vendim të Kurtit, derisa përmendi edhe disa motive që beson se e kanë shtyrë qeverinë deri te këto veprime.

Sipas tij, Kurti pa dashje ka krijuar përshtypjen se zgjedhjet e reja parlamentare, kanë ndikuar në vendimet e tij.

“Vendimi i Kurtit për të vepruar në këtë moment të caktuar ngre pyetjen nëse ai ishte i motivuar nga konsideratat e brendshme politike. Pajtohem me Kupçanin, ish-drejtor i Çështjeve Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili tha: “Për mua këto janë gjeste dhe manovra në nivelin e politikës së brendshme, të cilat mund të jenë të mira për fatin politik të kryeministrit Kurti, por ato nuk janë të mira për Kosovën”. Me këtë veprim tani, Kurti ka krijuar pa dashje përshtypjen se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë të planifikuara për në shkurtin e ardhshëm kanë luajtur rol në vendimmarrjen e tij”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti amerikan tha se SHBA dhe BE janë të acaruar me vendimet e fundit që ndërlidhen me veriun dhe serbët e Kosovës.

“Mbetet për t’u parë nëse Kurti do të përfitojë apo jo politikisht duke vepruar. Veprimet e tij kanë acaruar edhe Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kanë kritikuar veprimet e Kosovës në veri”, përfundoi Alon Ben Meir për “Bota sot”.