LifeStyle

Eksperti tregon se si të veprojmë nëse dikush po pëson sulm në zemër

Cristian Cura, koordinator i Kryqit të Kuq tregon se si duhet të sillemi nëse konstatojmë se një person në det po shfaq probleme me shëndetin.

Ai tha se gjëja e parë është lajmërimi i ambulancës, ndërsa në kohën që presin ardhjen e saj duhet të tregojmë kujdes të shikojmë gjendjen e personit, nëse është i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm në mënyrë që t’i vijmë në ndihmë.

“Pasi e nxjerrim nga uji duhet të vlerësojmë nëse personi është i vetëdijshëm, apo i pavetëdijshëm, pra nuk reagon ndaj ngacmimeve tona. Nëse është i vetëdijshëm dhe na jep këto shenja, pra shtrëngime të forta në qendër të kafazit të kraharorit, që përhapet zakonisht në krahun e majtë, shpatull deri në kurriz, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje të jashtëzakonshme, këto janë shenja tipike të sulmit të zemrës. Në këto raste personi duhet të mbahet në pozicionin gjysmë shtrirë dhe e inkurajojmë të marrë frymë sa më shumë të jetë e mundur. Ndërkohë ambulanca duhet të lajmërohet menjëherë, sidomos në këtë rast mjekët duhet të vijnë sa më shpejtë. Ne kaq mund të bëjmë nëse ai është i vetëdijshëm. Nëse është i pavetëdijshëm duhet t’i ngremë kokën që të mos i shkojë gjuha poshtë, pastaj duhet t’i kontrollojmë frymëmarrje”,-tha koordinatori i Kryqit të Kuq për Euronews Albania.