Shëndetësi

Ekspozimi i përditshëm ndaj dritës së fortë mund të ulë rrezikun e demencës

Kalimi më shumë kohë në dritë të fortë gjatë ditës mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë, sipas një studimi të ri me mbi 87 mijë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar. Studiuesit zbuluan se personat që ekspozoheshin më shumë ndaj dritës natyrore kishin një rrezik dukshëm më të ulët për t’u diagnostikuar me demencë gjatë tetë viteve në vijim.

Pjesëmarrësit, me moshë mesatare 62 vjeç, mbanin për një javë një pajisje në kyçin e dorës që regjistronte lëvizjet dhe nivelin e dritës. Gjatë periudhës së ndjekjes, 741 persona zhvilluan demencë. Ata që përjetonin mesatarisht mbi 1000 luks,  afërsisht sa ndriçimi i një dite me re, kishin rreth 16% më pak rrezik. Ndërsa personat që kalonin më pak se 42 minuta në ditë në dritë mbi 5000 luks, si ajo e një dite të kthjellët, kishin rrezik dukshëm më të lartë.

Sipas autorit kryesor të studimit, HongliangFeng nga Universiteti Mjekësor i Guangzhou, ekspozimi ndaj dritës gjatë ditës mund të shërbejë si një tregues i ri i rrezikut për demencë. Në fakt, mungesa e dritës së fortë rezultoi parashikues më i fuqishëm sesa disa faktorë të njohur, si obeziteti, konsumimi i tepërt i alkoolit apo dëmtimet e mëparshme të kokës.

Shpjegimi lidhet me ritmin cirkadian, orën biologjike që rregullon gjumin, vigjilencën dhe proceset e pastrimit të trurit. Kur ky ritëm prishet, mund të grumbullohen proteinat që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit. Studiuesit zbuluan se ndikimi i dritës ishte shumë më i madh sesa ai i vitaminës D.

Përfitimi ishte më i madh te personat me predispozitë gjenetike për Alzheimer, te ata që flenë vonë dhe te ata që ekspozohen shumë ndaj dritës gjatë natës. Në këto grupe, rreziku për demencë ishte deri në 41% më i ulët.

Megjithëse studimi nuk provon se mungesa e dritës shkakton demencë, ai sugjeron se zakone të thjeshta, si dalja jashtë në mëngjes, qëndrimi pranë dritareve ose ndriçimi më i mirë i ambienteve, mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të trurit. / Earth – Syri.net

Të Ngjashme