Lajme

Ekstradimi i Dritan Rexhepit, SPAK nis kërkesën për ekstradimit e tij nga Turqia

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përgatitur dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit i cili ra në prangat e policisë turke.

Dosja nga SPAK ditën e sotme do t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë për të nisur procedurat e ekstradimit nga Stambolli në Tiranë.

Shqiptari i shumëkërkuar Dritan Rexhepi u arrestua në 8 nëntor në periferi të Stambollit, kishte hyrë në Turqi me pasaportë kolumbiane.

Ai  u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Prangosja e të shumëkërkuarit në një vilë luksoze në periferi të Stambollit, sipas mediave, ndodhi falë gjurmimit të tij nga autoritetet italiane ku ka një dënim prej 16 vitesh në mungesë për trafik droge.

Në Shqipëri Dritan Rexhepi akuzohet edhe për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Shqipëria dhe Italia tashmë kërkojnë ekstradimin e të arrestuarit nga Turqia.

Në Itali, Rexhepi akuzohet nga prokuroria e Firences dhe është dënuar 16 vjet e 5 muaj burg nga Gjykata e Apelit Firence për trafikimin e një ngarkese 4 ton kokainë dhe 5.5 milionë euro kesh në vitin 2020. Gjatë këtij aksioni drejtësia italiane arrestoi 20 bashkëpunëtorë të Rexhepit dhe shpalli në kërkim 11 të tjerë.