Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot është bërë ekzekutimi i shtesave për fëmijë sipas skemës së re.
“Të gjithë prindërit përfitues sot kanë pranuar në llogaritë e tyre pagesën e shtesave për fëmijë për muajin gusht, sipas skemës së re, ku familjet që kanë deri në dy fëmijë 0-16 vjeç marrin nga 20 euro për secilin, kurse familjet që kanë 3 e më shumë fëmijë 0-16 vjeç marrin nga 30 euro për secilin”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu, Murati ka bërë të ditur se krahas shtesave për fëmijë, është bërë edhe pagesa e rregullt për lehonat përfituese, siç bëhet çdo muaj.
Ndryshe, me 18 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë të përbashkët për media kanë prezantuar skemën e re të shtesave për fëmijë deri në moshën 16 vjet.
Me skemën e re, për fëmijën e parë dhe të dytë, shtesat e reja do të jenë nga 20 euro në muaj secili, kurse për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë, shtesat do të jenë nga 30 euro në muaj, për secilin prej fëmijëve, pra edhe për të parin edhe për të dytin vlen shtesa 30 euro në muaj.
Nga skema e shtesave për fëmijë, përfitojnë mbi 400 mijë fëmijë, ndërsa kosto vjetore e skemës së re parashihet të jetë 120 milionë euro./teve1.info/