Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka dënuar sulmin e Iranit mbi Izraelin.
Ai ka thënë se i bashkohet qeverive të shteteve të tjera për të dënuar këtë sulm. Kurti tha se rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante, duke shtuar se Izraeli e ka të drejtën ta mbrojë vetën.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Kosova në vazhdimësi ka qenë përkrahese e Izraeli, veçanërisht prej vitit 2020 kur ky shtet njohu pavarësinë e saj me ndërmjetësimin e ish- presidentit Donald Trump.
Por, me pozicionimin aktual të Qeverisë së Kosovës nuk po pajtohet publicisti Rexhep Elezaj.
Rexhep Elezaj
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se për fat të keq, që nga pavarësimi i Kosovës para 16 viteve, politika e jashtme e saj dhe diplomacia, kanë qenë të ndërtuara pa ndonjë bazë nacionale dhe platformë shtetërore ndaj vendeve të Lindjes së mesme, në veçanti ndaj botës arabe dhe asaj islame.
Madje, ai shton se Kosova është pozicionuar gabimisht ndaj disa popujve, siç është çështja e Palestinës, e cila vazhdon të luftojë për liri dhe pavarësi, që nga vitit 1948, kur ajo do ndahet mes izraelitëve dhe palestinezëve sipas Rezolutës së OKB-së, Nr. 181.
“Pra, një konflikt i cili ka vazhduar për 77 vite rresht, dhe që nuk ka përfunduar deri më sot, ndaj të cilit konflikt pas vitit 2008, për shkaqe jo parimore Kosova ka mbajtur qëndrim negativ. Duke qenë se Kosova dhe shqiptarët vetë kanë pasur një histori të ngjashme tragjike me popullin palestinezë nën okupimet barbare serbo-sllave, për më shumë se 150 vite, në mos për asgjë tjetër, nisur vetëm nga ky parim, ajo është dashur ta mbajë anën e një populli të robëruar, së paku të ketë qëndrim neutral, duke ruajtur sado pak lidhjet historike me popullin palestinez, i cili për hire të interesave të veta nacionale i ka ruajtur raportet “miqësore” me Beogradin zyrtar, qysh nga koha ish jugosllave.
Prandaj, teza se palestinezët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, andaj as Kosova nuk duhet ta mbështes atë në luftën e saj me Izraelin, ka qenë pikëpamje joparimore, sepse pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur me 2008, rrethanat politike në Evropë dhe botë veçse kishin ndryshuar në dëm të palestinezëve, por megjithatë, mendoj se nuk është dashur që Kosova të mbajë qëndrim krejtësisht përjashtues, sidomos në aspektin humanitar, dhe kjo, në asnjë mënyrë nuk do i cenonte raportet me miqtë tanë amerikan dhe popujt perëndimorë, për faktin se çdo popull, sado i vogël që të jetë, ka të drejtë sovrane të qëndrojë me popujt që luftojnë për liri dhe pavarësi, pikërisht për shkakun sepse vetë shqiptarët e Kosovës kanë luftuar shumë gjatë për të njëjtat vlera universale njerëzore”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Elezaj ka shtuar se në rastin e konliktit Izrael-Iran, Kosova është dashur të mbajë qëndrim neutral.
“Ndërsa, kur është fjala për pozicionimin e Kosovës pro-Izraelit në konfliktin mes tij dhe Iranit, mendoj se edhe në këtë rast Kosova është dashur të mbajë qëndrim neutral, për faktin e vetëm, ngase ne ende nuk e kemi përmbyllur ndërkombëtarisht procesin e pavarësisë së shtetit tonë, ku qëndrimi neutral do nënkuptonte që një ditë qeveritë e Kosovës do mund të trokitnin në derën e hapur të Iranit për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa duke u rreshtuar hapur në anën e Izraelit, dyert për kërkim të kësaj njohjeje nga Irani do jenë të mbyllura për vite dhe dekada të ardhshme për Kosovën.
Prandaj, në diplomaci duhet pasur plan dhe strategji afatgjate, e jo vetëm veprime të çastit, e që në asnjë rast, qëndrimi neutral nuk do i dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës as me Izraelin, meqë ai e dinë mirë se vendi ynë nuk ka asnjë rol dhe peshë në luftën arabo-izraelite dhe as izraelito-iraniane, siç e dinë se çdo shtet i cili do kishte qenë në situatën e Kosovës, do kishte bërë përpjekje që nga situata të tilla të përfitonte sa më shumë që është e mundur, parim i pashkruar në diplomaci, të cilin e kanë shfrytëzuar shumë popuj dhe shtete para Kosovës”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, Elezaj ka potencuar se Kosova sa i përket pozitës gjeostragjetike të saj, ajo edhe gjeografikisht i takon Evropës.
“Kur është çështja tek pozicionimi i hapur i Kosovës me Perëndimin, dhe sa e forcon kjo pozitën e Kosovës në raport me qëndrimin përkrahës të Serbisë ndaj Iranit, Palestinës, etj., rreth kësaj çështjeje nuk ka pasur dhe as nuk do ketë kurrë dilema, sepse, së pari Kosova gjeografikisht i takon Evropës, dhe së dyti, politikisht ajo është bërë pjesë e Perëndimit në vitin 1999 ngase vetë fuqitë e mëdha perëndimore, duke e çliruar dhe bërë shtet të pavarur nga pushtimi i Serbisë fashiste. Prandaj, më shumë se kaç Kosova nuk ka mundur të bëjë për veten e saj, se sa vazhdimin e këtij diskursi politik dhe nacional, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton, që lidhur me disa çështje humane, njerëzore dhe interesa diplomatike të mos jetë popull sovran, sidomos në disa vendime, siç e kam cekur më lartë, çështjes ende të pazgjidhur të popullit palestinez për pavarësi, rreth të cilës kauzë politika e jashtme e Kosovës është dashur të ketë qëndrime dhe vendime autoktone, pikërisht në ato çështje që nuk prekin në raportet e saj me miqtë dhe partnerët perëndimorë.
Mbase, për disa gjëra dhe çështje që kanë interes të ngushtë nacional-politik, zot shtëpie në shtëpinë tënde duhesh të jesh vetë dhe askush tjetër, parim kyç ky në ruajtjen e identitetit dhe autoktonisë së një populli të lashtë dhe civilizues, siç janë shqiptarët në Ballkan”, ka theksuar ai.
Për Elezajn, nuk është lehtë të jepen mendime rreth një çështjeje e cila ka shumë dimensione politike dhe diplomatike.
“Ndërsa për Kosovën me shumë rëndësi, udhëheqësit e të cilës, për shkak të budallakinave të tyre, i vunë dryrin bashkëpunimit me këtë botë të pasur me naftë dhe mundësi për investime të saj në Kosovë. Kjo për mua ka qenë politikë çorrë dhe e dëmshme për Kosovën, sepse vetë amerikanët dhe perëndimorët, në të njëjtën kohë e mbështesin Izraelin që të vras palestinezë, dhe në të njëjtën kohë kanë marrëdhënie shumë të fuqishme ekonomike dhe ushtarake me vendet arabe, dhe shtrohet pyetja, pse Kosova dhe për interesa të kujt këtij bashkëpunimi ia ka vu dryrin që 16 vite..!?”, përfundoi ai.