ShowBizzz

Elon Musk, një gjeni apo budalla?

Nga Simon Hunt

Kur bleu Twitter në tetorin e vitit të kaluar, Elon Musk paraqiti një vizion të guximshëm mbi aplikacionin e famshëm. Miliarderi tha se blerja e tij ishte “hap i përshpejtuar” drejt ndërtimit të “X, aplikacionit mbi gjithçka”, duke imituar funksionalitetin e aplikacionit kinez WeChat, përmes të cilit përdoruesit mund të transferojnë para, të luajnë video-lojëra, të bëjnë blerje në internet dhe shumë gjëra të tjera.

Por deri më tani, përtej regjistrimit të një kompanie menaxhuese, X Corp, ka pak shenja përparimi drejt këtij të ashtuquajturi aplikacion për gjithçka. Kritikët më të ashpër të Musk paralajmërojnë se ai mund të përfundojë me një aplikacion “mbi asgjë”.

Pasi ka pushuar nga puna pjesën më të madhe të fuqisë punëtore të kompanisë, dhe ka ridizenjuar simbolet e aplikacionit për të treguar abonimin me pagesë, përvoja e përdoruesve e Twitter po përkeqësohet me shpejtësi. Shumë prej tyre mund të tundohen të largohen nëse në skenë shfaqet një alternativë.

Dhe ai që dikur cilësohej si një forum publik i lirë dhe i hapur, është shndërruar në një forum ku ata që paguajnë më shumë mund të jenë më të zëshëm, ndërsa të tjerët me shprehje më të thella dhe të kultivuara zhvendosen në skaje.

Gjendja problematike e Twitter, dhe premtimet e Musk për ridizajnimin e tij, janë pjesë e një tendence më të gjerë të njeriut të dytë më të pasur në botë që premton me tepri. Në vitin 2015, Musk tha për planet e Tesla-s për makinat që drejtohen vetë: “Unë supozoj se ne do të kemi makina me autonomi të plotë brenda 3 vitesh”.  

Në vitin 2017, ai premtoi se brenda disa muajsh “do të jemi në gjendje të tregojmë një automjet të tillë duke udhëtuar vetë nga Los Angeles në New York. Ndërkohë u tha investitorëve në prill 2019: “Vitin e ardhshëm, do të kemi me siguri në rrugë mbi 1 milionë taksi robotike”.

Dhe gjatë një video-konference me të njëjtët investitorë, gjithnjë e më të padurueshëm në janarin e vitit 2022, Musk tha: Supozimi im personal është se ne do të arrijmë të promovojmë makinat vetë-drejtuese brenda këtij viti”. Këto premtime të guximshme nuk janë realizuar ende.

Ne presim ende raportimet për premtimin e tij të radhës për makinat pa shofer. Ndoshta në vitin 2024 Elon? Por më i keq sesa premtimet e tij të tepruara është qëndrimi i Musk ndaj kritikëve të tij. Shembulli më i shëmtuar ndodhi në vitin 2018, kur zhytësi britanik Vernon Unsworth, shpëtoi jetën e 12 nxënësve të cilët ishin bllokuar në një shpellë të përmbytur në Tajlandë.

Unsworth, që më vonë mori medaljen e trimërisë për përpjekjet e tij, tha se zgjidhja e propozuar e Musk për t’i shpëtuar të rinjtë kishte qenë “e pazbatueshme”. Përgjigja e Musk ishte ta quante Unsworth një “djalosh të neveritshëm”, duke shkuar deri aty sa të shpenzonte dhjetëra mijëra dollarë për një hetues privat në një përpjekje për të vërtetuar pretendimin e tij të pabazë.

Më vonë kërkoi falje dhe i tërhoqi komentet e tij edhe sepse çështja përfundoi në gjykatë.  

Mbulimi mediatik i këtyre ngjarjeve, si dhe disa nga raportimet më pak të favorshme për sipërmarrjet e tjera tij, e kanë bërë miliarderin të kthejë vëmendjen tek gazetarët.

Musk i akuzon gazetarët se janë pjesë e një “media të shkollës së vjetër” që synon të mashtrojë publikun. Por midis prirjes së tij të vazhdueshme për hakmarrje, tek Elon Musk ka edhe shenja gjenialiteti. Sipërmarrësi ishte ende në të 20-tat kur start-upi i tij i parë në internet u shit për më shumë se 300 milionë dollarë, dhe në 30-at kur kompania tjetër, PayPal, u ble prej tij për 1.5 miliardë dollarë. Dhe pastaj është Tesla.  

Një arritje e madhe më vete është bindja e amerikanëve se makinat elektrike janë të lezetshme, duke përmbysur traditën e një industrie të madhe automobilistike, e ndërtuar gjatë dekadave nga gjigantët si Ford, Chrysler dhe Chevrolet. Por është diçka krejtësisht tjetër të kesh rritur një kompani kaq të suksesshme sa që tani vlen më shumë se këta 3 prodhues makinash të marrë së bashku.

Evolucioni i biznesit dhe teknologjia që qëndron pas tij, nuk ka qenë aspak i jashtëzakonshëm. Po ashtu Musk thotë se po zhvillon robotikën për të ndihmuar në kurimin e sëmundjeve të trurit kërcënuese për jetën, me synim hedhjen e hapave drejt një të ardhmeje transhumaniste.

Dhe qielli mbi ne nuk është kufiri për ambiciet e tij. Ai është i vendosur të realizojë një mision hapësinor në Mars për të krijuar qytetërimin e parë jashtë planetit tonë, në mënyrë që të mbrojë të ardhmen e racës njerëzore. Ka diçka dukshëm fisnike në këto projekte madhështore, kur Musk ka shumë para në pjesën e pasme të divanit të tij, për të jetuar në luks pjesën tjetër të jetës.  

Ashtu si me Twitter, shumë nga këto plane të guximshme mund të mos realizohen kurrë. Por ndoshta vetëm një budalla do të vinte bast kundër suksesit të tyre, sepse shumë njerëz patën të njëjtat parashikime të çuditshme për fatin e Teslës në fillimet e saj. Është shumë irrituese të mendosh se dikush që është në dukje kaq mendjemprehtë, mund ta shpëtojë një ditë njerëzimin nga zhdukja. Por ndërsa shanset janë të ulëta, ruajeni një fije shprese se ai mund ta arrijë këtë gjë. /

“The Spectator” – Bota.al