ShowBizzz

Elton John flet për gjendjen e tij: Të jem i sinqertë, nuk ka mbetur shumë nga unë

Elton John mori pjesë në premierën e filmit “Elton John: Never Too Late” në festivalin e filmit në New York. Ai foli për gjendjen e tij shëndetësore, me të cilën ka pasur disa probleme së fundmi. Me humor tha se “nuk ka mbetur shumë nga ai” pasi ka humbur disa organe pas operacioneve, shkruan DailyMail.

“Për të qenë i sinqertë me ju, nuk ka mbetur shumë nga unë. Nuk kam bajame, adenoide, apendiks dhe as prostatë. Më mungon kofsha e djathtë, gjuri i majtë dhe gjuri i djathtë. Në fakt, e vetmja gjë që më ka mbetur është kofsha ime e majtë. Por ende jam këtu. Dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm, ju jeni ata që më keni krijuar,” tha Elton.

Në festivalin e filmit, ai mahniti të gjithë fansat e pranishëm me aftësitë e tij vokale të pabesueshme dhe luajti në piano. Kohët e fundit, Elton përfundoi turneun e tij të lamtumirës dhe tani ka shpjeguar vendimin e tij për të mos performuar më.

“Siç e dini, vendosa të ndalem me turnetë sepse jam 77 vjeç, kam bërë gjithçka që mund të bëja. Ia dola mbanë,” tha ai, duke shtuar se muzika do të jetë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Ai theksoi gjithashtu se më e rëndësishmja për të është familja e tij: bashkëshorti David dhe djemtë e tyre, Zachary dhe Elijah.

Në fillim të shtatorit, muzikanti i njohur iu drejtua fansave të tij në Instagram, duke zbuluar se gjatë verës ishte përballur me një infeksion serioz në sy. “Fatkeqësisht, kam shikim të kufizuar në një sy. Jam duke u rikuperuar, por procesi është jashtëzakonisht i ngadaltë dhe do të duhet pak kohë që shikimi të më kthehet në syrin e prekur”, shkroi Elton.