Në Romë, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC dhe Princesha Basma Bint Ali shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit në edukim dhe përfshirje sociale.
PRISHTINË, 16 tetor 2026 – Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, gjatë vizitës zyrtare në Romë, është pritur në një takim të veçantë nga Princesha e Jordanisë, Basma Bint Ali, e cila shërben gjithashtu si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Gjatë takimit, Shala e njoftoi Princeshën Basma Bint Ali për punën dhe angazhimin e saj, duke vënë theksin te rëndësia e krijimit të mundësive të barabarta për kategoritë e margjinalizuara, të cilat përballen me barriera në qasjen ndaj edukimit dhe zhvillimit shoqëror.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte mundësia e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete që do të forconin bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë, veçanërisht në fushën e edukimit gjithëpërfshirës, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të mundësive të reja për personat që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Sipas njoftimit, Princesha Basma Bint Ali shprehu interesim të veçantë për iniciativat e prezantuara dhe mundësitë e investimit në projekte që synojnë përmirësimin e qasjes në edukim dhe avancimin e përfshirjes sociale.
Ky interesim vlerësohet si një mundësi për të shqyrtuar forma konkrete të bashkëpunimit dhe për të ndërtuar ura të reja ndërmjet dy vendeve.
Ambasadorja Shala u shpreh e kënaqur për pritjen dhe gatishmërinë e shprehur nga Princesha, duke theksuar rëndësinë që bashkëpunimi ndërkombëtar të përkthehet në iniciativa konkrete, të cilat sjellin ndryshime pozitive në jetën e njerëzve, veçanërisht të atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe mundësi.
Në kuadër të bisedimeve, u shpreh vullneti për avancimin e shkëmbimeve të ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë, përfshirë mundësinë e vizitave të ardhshme të Princeshës Basma Bint Ali në Kosovë.
Vizita do t’i mundësonte asaj të njihej nga afër me realitetin, potencialin dhe nevojat sociale të vendit, ndërsa të dyja palëve do t’u krijonte mundësi për të identifikuar iniciativa konkrete dhe për të zhvilluar projekte të përbashkëta në shërbim të edukimit dhe përfshirjes sociale.
