Ka shkuar në katër numri i personave që kanë humbur jetën nga aksidenti i rëndë automobilistik i ndodhur disa ditë më parë në rrugën dytësore të Manzës. Mësohet se, ditën e sotme ka ndërruar jetë në spital edhe 16-vjeçari Klevis Dervishi.
I riu, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë përplasjes, nuk u ka mbijetuar dot dëmtimeve të marra, duke ndërruar jetë pas disa ditësh lufte me vdekjen nën kujdesin e mjekëve.
Humbja e tij e çon në katër bilancin e viktimave të kësaj tragjedie që tronditi opinionin publik.
Nga ky aksident fatal humbën jetën më herët edhe 25-vjeçari Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij Sara Brugnatelli, si dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Ndërkohë, grupi hetimor dhe autoritetet po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në përplasjen fatale.
