Lajme

Enea Karakaçi, administratori i OSHEE: Rritëm pagat dhe promovuam më të mirët!

Energjia është për të një sektor që e njeh në majë të gishtave dhe si jurist e ka studiuar në detaje sistemin. Përvoja e gjatë dhe profesionalizmi i treguar për më shumë se një dekadë në poste të ndryshme publike, bëri që Enea Karakaçi të zgjidhej si drejtues ekzekutiv i OSHEE Group.

Me emërimin e tij, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hyrë prej muajsh në një proces transformimi dhe digjitalizimi të shërbimeve, përgjigjes ndaj qytetarit, trajtimit të punonjësve dhe objektivave strategjike e të qartë për të ardhmen.

Janë 1.3 milionë abonentë që marrin shërbim të pandërprerë, nga Vermoshi deri në Konispol, duke përdorur 55 mijë kilometra linja elektrike të shtrira në çdo skaj të Shqipërisë.

OSHEE trashëgon një rrjet të amortizuar mbi 30 vjeçar dhe duke qenë në një moshë të tillë ka nevojë për ndërhyrje inovative që të shmangë humbjet. Niveli i tyre ka ardhur duke u reduktuar ndjeshëm, por shifrat nuk e kënaqin lehtë administratorin, ndaj një nga reformat që Enea Karakaçi ka ndërmarrë dhe i mëshon fortë është ajo për digjitalizimin e shërbimit.

“Prej kohësh kemi nisur të instalojmë matës ‘smart’ dhe do të vijojmë ta zgjerojmë fushën e implementimit te sa më shumë abonentë, pasi avantazhet janë të shumta. Investimet në rrjetin elektrik do të ndihmonin jo vetëm në performancën e treguesve të humbjeve, por edhe në rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike”, shprehet ai.

Si një i ri që e njeh mirë sistemin shqiptar, por edhe atë evropian, Enea thekson se nëse nuk ndërton një ekip të mirë atëherë edhe investimi nuk do të duket. Me zgjedhjen e tij në krye të OSHEE, propozoi menjëherë rritjen e pagave për të gjithë punonjësit dhe aplikoi për herë të parë vjetërsinë në punë.

Për t’i dhënë një lloj promovimi punonjësve dhe për të krijuar një sistem karriere, institucioni vendosi të aplikonte një metedologji të panjohur më parë në OSHEE. “Sa më shumë vite pune ke në kompani aq më shumë të rritet paga, vendim që mori zbatim në javën e parë të muajit nëntor 2023”, tregon ai.

Fokusi i tij është klienti dhe nuk mund të kërkonte nga punonjësit të ishin pranë qytetarëve në çdo kohë, nëse ata nuk do të kishin kushtet dhe një pagë të kënaqshme që u përgjigjet nevojave. Janë 3560 punonjës të terrenit që sot marrin një pagë 30% më të lartë se më parë dhe janë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Ata nuk i njohin ditët e pushimit në fundjavë sepse janë në çdo orë dhe 7 ditë të javës në shërbim të qytetarëve.

Një lajm të mirë, administratori Enea Karakaçi e ka dhe për qytetarët, për të cilët thotë se pavarësisht aludimeve apo spekulimeve, herë të qëllimshme, për vitin 2024 tarifat e konsumit të energjisë elektrike do të jenë të pandryshuara për familjarin 9.5 lekë/kwh, dhe 14 lekë për subjektet e lidhura në tension të ulët (0.4 KV).

Gjithashtu, nuk u prekën as kategoritë e subjekteve të lidhura në tension 6 dhe 10kV, mbi 5 mijë aktivitete private. Këto biznese do duhet të dilnin në treg të lirë prej vitit 2022, sipas afateve të reformës për liberalizimin e sektorit, por për shkak të situatës së jashtëzakonshme ato vazhdojnë të marrin energji me çmim të subvencionuar.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetenëntë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Janar dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo