Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzoi sot Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për “rëndimin e krizës” në Rripin e Gazës për shkak të qëndrimit të tij “të njëanshëm”.
“Këshilli i Sigurimit e përkeqësoi krizën përmes qëndrimit të tij të njëanshëm, në vend që t’i jepte fund gjakderdhjes, duke siguruar një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur dhe duke marrë masa për të shmangur viktimat civile,” tha Erdogan në një deklaratë të lëshuar me rastin e 78-vjetorit të themelimit të OKB-së.
Presidenti turk, i cili ka akuzuar Izraelin për “gjenocid” të palestinezëve në Gaza, fajëson gjithashtu komunitetin ndërkombëtar për “mos kundërshtimin e sulmeve të paligjshme të regjimit izraelit kundër civilëve”.
“Është e pamundur që një institucion që nuk mund të merret me ndëshkimin kolektiv të popullsisë së Gazës, t’i japë shpresë njerëzimit dhe të garantojë paqen dhe stabilitetin botëror”, vazhdoi Erdogan, duke iu referuar Këshillit të Sigurimit.
“Agjencitë e OKB-së, veçanërisht agjencia për refugjatët palestinezë (UNRWA), janë bërë jofunksionale për shkak të Këshillit të Sigurimit”, vijon presidenti turk, duke vlerësuar se ky organ “dëmton edhe një herë reputacionin e OKB-së”.
Erdogan ka shprehur shumë herë mosmarrëveshjen e tij me përbërjen e Këshillit, veçanërisht për shkak se vetëm pesë vende (SHBA, Britania, Kina, Rusia dhe Franca) janë anëtarë të përhershëm të këtij organi, duke argumentuar se “bota është shumë më e madhe se ato pesë. anëtarët”.