Lajme

Ermonela Jaho rrëfen sakrificat kur vraponte e para drejt Liceut për të gjetur një klasë me pianoforte

Sopranoja e njohur Ermonela Jaho ishte e ftuara e radhës në sezonin e dytë të podcastit “Flasim”, të kryeministrit Edi Rama, ku rrëfeu sfidat që ka hasur gjatë karrierës së saj, kush besoi tek ajo më shumë se ajo tek vetja dhe ditët kur zgjohej që në 5 të mëngjesit për të vrapuar e para drejt Liceut.

Kur sopranoja e njohur studionte në Lice nuk e kishte luksin që çdo klasë të kishte pianoforte, ndaj kush arrinte i pari të kapte një klasë me pianoforte, ishte fat i madh.

“Realiteti tjetër, kur shkoja në lice, siç e përmendët dhe ju, kishte një lloj pabesueshmërie, i vetmi që më besonte ishte im vëlla dhe babi që ndoshta ngaqë donte që unë të fluturoja me ëndrrat e mia, të mos ndalonte thjesht tek ato gjërat që ishin pak të kufizuara e që sot them që të rinjtë i kanë mundësitë.

Për shembull, të kishe një klasë me pianoforte ishte e pamundur kur studioja unë në Lice, madje unë mbaj mend që zgjohesha që në 5 të mëngjesit, kush ngrihej i pari me pastruesen të hapte derën e Liceut dhe kush arrinte i pari të kapte një klasë me pianoforte. Ndonjëherë, kur dera ishte e mbyllur, hipja nga dritarja, nja dy herë kam grisur pantallonat, por ishte ajo dëshira e madhe”, u shpreh Ermonela.

Edhe pse në një moshë fare të re ajo ishte shumë e bindur për pasionin që i vlonte në gjak dhe të vetmin për të cilin ëndërronte: “Nuk ka asgjë që të ndalon sepse e doja, ishte një nevojë shpirtërore.”

“Nuk ka asgjë që të ndalon sepse e doja, ishte një nevojë shpirtërore. Ky ishte realiteti që prekja me dorë dhe realiteti i bukur ajo fantazia, ajo energjia që unë po e shikoja, po e vizatoja, po projektoja ku do arrija.” Është shprehur sopranoja e njohur.