Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se Ergys Agasi, i arrestuar një ditë më parë për dosjen e AKSHI-t, ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në këtë institucion, por edhe në të tjera si Shërbimi Informativ Shtetëror.
Sipas gazetares, Agasi ka ndikuar edhe në largimin e ministrave të Brendshëm, duke përmendur rastin e Ervin Hoxhës. Po ashtu, sipas saj, në zyrën e tij, nuk është filmuar vetëm ish drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanajt por edhe zyrtarë të tjerë.
“Ka dyshime të forta se ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm mbi institucione të tjera, mbi Shërbimin Informativ Shtetëror, tek AKSIK, një institucion në varësi të kryeministrit. Kishte shkuar deri aty sa të kishte zyrën e tij në mes të ish Bllokut dhe të instalonte kamera e të përgjonte çdo takim. Këto kamera i shërbyen SPAK për të ndërtuar dinamikën se si ishte përfshirë në vepra penale. Arrestimi i tij është ndoshta një ndër operacionet më të rëndësishme të policisë së shtetit. Do të isha e keqardhur nëse do të ishte dorëzim i kontrolluar, por nuk mendoj se është i tillë nisur nga mënyra se si është organizuar operacioni.
Në rastin e Agasit ishin të shqetësuar edhe partnerët ndërkombëtarë, për shkak se personat e dëmtuar ishin edhe shtetas të huaj. Disa ministra të brendshëm janë larguar nga detyra për shkak të Agasit. Psh, Ervin Hoxha është shkarkuar pas ndikimit të jashtëzakonshëm që ka pasur Agasi, për shkak se donte kontroll tërësor mbi policinë e shtetit. Në zyrën e Agasit nuk është filmuar vetëm Mirlinda Karçanaj, por edhe dhjetëra zyrtarë të tjerë, se çfarë është biseduar ta shpjegojë SPAK nga hetimi dhe Agasi nga rrëfimi.”, tha ajo.
E pyetur për lidhjen e kryeministrit Rama me Agasin, ajo tha:
“Shitblerja e votës, ndikimi i krimit në shitblerjen e votës. Të kesh zgjedhjet, të blindosh veten dhe të mos kesh asnjë zë të të kundërvihet. Në momentin që ke të gjithë parlamentin, ngre kartonin dhe bën çfarë të duash pa patur asnjë forcë që të të mund të lëkundë, kjo duhet. Ne e kemi parë se krimi ka arritur të shkrijë tentakulat në çdo operacion që kemi ndjekur.”, tha ajo.
E pyetur nëse Rama ka qenë në zyrën e tij, ajo u shpreh:
“Nuk jam në gjendje ta them këtë. Di që Agasi koordinonte gjithçka në botën e krimit për llogari të maxhorancës”, shtoi ajo.
