Lajme

Familja e Haki Imerit i reagon Gashit: “Grenelli nuk është Amerika, ai është kundër Kosovës – Lumir, mos lësho pe”

Familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, se deputetët kishin pasur “urdhër nga Grenelli” për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.

Në reagimin e publikuar, familja e Imerit e cilëson këtë si një akuzë jashtëzakonisht serioze, duke kërkuar që deklarata, nëse është thënë saktësisht kështu dhe nëse ekzistojnë prova, të hetohet.

“Është çështje për hetim dhe përgjegjësi. Është një akuzë jashtëzakonisht serioze për ndërhyrje të huaj në politikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, duhet bërë dallimi mes aleatëve të Kosovës dhe individëve që mund të kenë ndikim në politikën vendore.

“Një gjë është të kesh miq në SHBA-BE. Tjetër gjë është të marrësh ‘urdhra’ nga jashtë për ta rrëzuar qeverinë e vendit tënd”, thuhet më tej.

Familja e Haki Imerit ka kritikuar edhe Richard Grenellin, duke theksuar se ai “nuk është Amerika” dhe se nuk duhet të ngatërrohet me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës.

“Grenelli nuk është Amerika. Amerika është aleate e Kosovës. Mos i ngatërroni të dyja”, thuhet në reagim.

Në fund, familja e Imerit ka bërë thirrje për bashkëpunim politik mes liderëve kosovarë, duke përmendur Albin Kurtin, Donika Gërvallën, Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.

“Kosova ka nevojë për politikanë që ecin me këmbët e veta. Dhe nëse synimi është që Kosova të çlirohet nga ndikimet e dëmshme, të brendshme e të jashtme, atëherë Albin Kurti, Donika Gërvalla, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani duhet të mendojnë seriozisht për një bashkëpunim politik që e vendos interesin e Kosovës mbi interesat partiake”, thuhet në reagim.

“Armiku i jashtëm nuk luftohet duke e copëtuar vendin nga brenda”, vijon reagimi.

Në fund, familja e Haki Imerit i është drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me mesazhin: “Lumir, mos lësho pe. Nëse je në rrugën për t’ia rikthyer LDK-së rugovizmin, atëherë jemi me ty.”

Të Ngjashme