Lajme

Familja s’tërheq trupin nga frika e hakmarrjes, Arben Lleshi do varroset nga Bashkia

Instituti i Mjekësisë Ligjore i kërkon Prokurorisë së Elbasanit leje për të varrosur trupin e Arben Lleshit, i cili u vra më 15 dhjetor në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj.

IML i drejtohet Prokurorisë pasi familjarët e Lleshit nuk janë paraqitur për të tërhequr trupin e Arben Lleshit për shkak të frikës së hakmarrjes. Në këto kushte pasi prokuroria të miratojë lejen do jetë drejtoria përkatëse pranë Bashkisë që do kryejë varrimin e  Lleshit, raporton “News 24”.

Trupi i Arben Lleshit ndodhet prej rreth dy muajsh në morgu. Ai u vra më 15 Dhjetor 2023 teksa vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, për motive të dyshuara hakmarrje.

37 vjeçari ishte transferuar vite më parë nga Anglia dhe mbahej në Peqin, ku u ekzekutua me armë zjarri nga i dënuari tjetër Sokol Mjacaj.

Familjarët e Lleshit nuk janë paraqitur pranë institucioneve për të tërhequr trupin, sipas procedurave përkatëse, për shkak se fisi me të cilin është në hasmëri mund të vijojë hakmarrjen. Në këto kushte, askush nuk ka shkuar në morg për të tërhequr trupin e Arben Lleshit.

Lleshi ishte ekstraduar nga Londra në vitin 2016 dhe me origjinë ishte nga fshati Laç-Bruçi i Matit. Ai akuzohej dhe ishte shpallur fajtor për vrasjen e shqiptarit tjetër Agim Hoxha në Britaninë e Madhe, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 për prishjen e pazareve të drogës.

I riu Agim Hoxha u gjet i vrarë dhe i djegur brenda makinës së tij, një Mercedes Benz në Chilëorth Drove, Angli. Ekspertët arritën të provonin se shqiptari ishte vrarë dhe më pas ishte djegur në makinën e tij.

Katër vite pas ngjarjes, drejtësia britanike vendosi që të ekstradonte në Shqipëri shtetasin Arben Lleshi. Që nga ajo periudhë, 37 vjeçari ndodhej në burgjet shqiptari, i dënuar me burgim të përjetshëm por me minimun 32 vite.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo