Të pandehurit e SPAK për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” duhet të paguajnë në total 100 mijë euro, vetëm për fletët e formatit që ka prodhuar organi i akuzës. Shuma do të ndahet mes të gjithë personave të akuzuar dhe të marrë tashmë zyrtarisht të pandehur.
WebLajm ka siguruar dokumentin ku 10 të pandehurve u është dorëzuar fatura prej afro 10 mijë euro secili ose 1.034.000 lekë.
Kjo faturë do duhet paguar paraprakisht që të pandehurit të kenë mundësi të njihen me fashikullin hetimor prej 188.000 faqe prodhuar nga Prokuroria e Posaçme. Në rast se ata do të duan t’i marrin fashikujt në mënyrë elektronike, duhet të paguajnë për USB.
Pak ditë më parë tërhoqi vëmendjen një betejë e re që ish-ministri Ilir Beqaj, i pandehur në këtë dosje, kishte ngritur padi në Gjykatën e Posaçme dhe kërkonte të mos paguante 1.2 milion lekë të vjetra për të marrë vetëm materialet në ngarkim të tij.
I habitur nga shuma që duhet të paguante, Ilir Beqaj ka depozituar një kërkesë penale në Gjykatën e Posaçme dhe përmes saj ai i kërkon togave të zeza që të urdhërojnë SPAK t’i japë aktet e dosjes pa paguar shpenzimet procedurale. Ai ka insistuar se shpenzimet procedurale mund të paguhen vetëm në fund të procesit.
Javën e kaluar, më 15 Mars 2024, Ilir Beqaj dhe tetë personat e tjerë të marrë të pandehur për koncesionin 100 milionë euro të “Sterilizimit të seteve mjekësore kirurgjikale”, janë njohur zyrtarisht me akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tyre. Dosja u dërgua për gjykim.
Ilir Beqaj akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie, “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale.
Personat e tjerë të marrë të pandehur janë ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, rektori i Universitetit të Mjekësisë dhe shef i Kirurgjisë, Arben Gjata dhe biznesmeni vlonjat që fitoi tenderin 100 milionësh, Ilir Rrapaj.
Po ashtu, nën akuzë janë dhe ish-drejtorët në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të vlerësimit të ofertave dhe kanë dhënë “dritën jeshile” për këtë koncesion. Ata janë Saimir Kadiu me detyrë Drejtor Ekonomik, Marsela Serjanaj me detyrë Drejtoreshë Juridike në ministri, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo