Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi u prit me entuziazëm në shumë kryeqytete evropiane. Gazeta më me ndikim gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), paralajmëron se programi i fituesve ndaj Kosovës mund ta çojë Serbinë drejt izolimit.
Analizën e ka shkruar Michael Martens, korrespondent i FAZ-it për Ballkanin. Ai e përmblodhi edhe në tetë postime në rrjetin X. Pikat kryesore të tij janë këto:
▶︎ Kosova: Programi i lëvizjes studentore nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në leximin e Martensit, ai mund të mos e pranojë as shtetësinë e saj. Kosova përmendet si “e ashtuquajtura Republikë”, ndërsa institucionet e saj trajtohen si të përkohshme.
▶︎ Marrëveshjet: Programi kërkon ndjekje penale për zyrtarët që zbatuan marrëveshjet me Prishtinën, të arritura në vitin 2023 me ndërmjetësim të BE-së. Lista Studentore i konsideron ato antikushtetuese.
▶︎ Universiteti në Mitrovicë të Veriut: Martens pyet nëse lëvizja synon të zhvendosë universitetin serb atje në Prishtinë pa i pyetur institucionet e Kosovës.
▶︎ Rusia dhe Kina: Programi kundërshton sanksionet ndaj Rusisë dhe parashikon thellimin e lidhjeve strategjike me Kinën.
Sipas Martensit, nacionalizmi i trashëguar nga 12 vitet e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit duket edhe te studentët. Ata morën pjesë në tubimet për përvjetorin e Betejës së Kosovës, por heshtën në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.
Gazetari gjerman pranon se platformat zgjedhore nuk janë gjithmonë detyruese dhe se lëvizja mund të bëhet më pragmatike në pushtet. Nëse programi zbatohet, paralajmëron ai, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe zonat me shumicë boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë mund të bashkëpunojnë kundër Beogradit. Rezultati, sipas tij, do të ishte izolimi i Serbisë, jo çlirimi i saj. Martens shton se rikthimi i kontrollit serb mbi Kosovën do të kërkonte një luftë që Serbia do ta humbte.
Analiza vjen ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli po u kërkojnë fituesve të formojnë qeverinë pa vonesë. Një grup senatorësh amerikanë nga të dyja partitë tha se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve Serbi–Kosovë. Lideri i Listës Studentore, Ilija Sërdanoviq, ka deklaruar se qeveria e re do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nën Vuçiqin dhe do të vazhdojë dialogun.
Institucionet e Kosovës nuk kanë komentuar ende programin e fituesve në Serbi.
