Duket se protesta e fermerëve në Europë, u kanë dhënë “zemër” edhe fermerëve e blegtorëve shqiptarë. Ditën e sotme rreth 100 fermerë janë ngritur në protestë në urën e Kardhiqit, në hyrje të aksit Kardhiq-Delvinë.
Ata kanë kërkuar që të zhvillojnë një takim me ministren e Bujqësisë, Anila Denaj. Fermerët shqiptarë kërkojnë rritjen e çmimit të shitjes së qumështit, dyfishimin e subvencioneve, sistemimin e lerave malore dhe mundësimin e kontratave 15 vjeçare për kullotat.
“Jemi në protestën e radhës pasi zotërinjtë e ministrisë na kanë lënë një takim por e kanë lënë në një moment të papërshtatshëm sepse kujtojnë se ne do të largohemi. Ne prapë do t’ja paraqesim ato 4 pika dhe në qoftë se ata nuk reagojnë do të na kenë në rrugë përsëri sepse kanë bërë edhe presion.
Te shumë blegtorë ka pasur presione. Mos dilni në protestë sepse do t’ju heqim kullotën, ke filanin në punë, ke fistekun. Me polici, kanë përdorur edhe Policinë e Shtetit. Në rrugë ne kemi dalë vetë për të drejtën tonë. Sot jemi në protestë, nuk tërhiqemi. Në Polici më kanë bërë presion, më kanë thënë që ti je organizatori, ti i nxjerr në rrugë. Unë nuk jam organizatori. Jam si të gjithë këta këtu”, tha një nga protestuesit.
Ata ndër të tjera kanë kërcënuar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të shesin bagëtinë dhe do largohen nga vendi.
“Ne kemi 4 pika zotëri i dashur. As për subvensionet as për kullotat as për veprat ujore. Nuk ka më kthim pas sepse ne po vuajmë si qeni. Nëse ata nuk na zgjidhin këto 4 pika, ne do t’i shesim dhe do të ikim nga ky vend sepse kjo është e qëllimshme”, tha njëri prej blegtorëve.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo